Holandë, pensionisti nis betejën ligjore për të ulur moshën e tij me 20 vjet

Pensionisti 69 vjeçar në Holandë ka nisur një betejë ligjore për të ulur moshën e tij me 20 vjet, në mënyrë që t’i lehtësojë vetes gjasat për të gjetur një partnere, transmeton Anadolu Agency (AA).

I lindur më 11 mars të vitit 1949, Emile Ratelband një 69 vjeçar, dëshiron të ndryshojë datëlindjen e tij me 20 vjet, në mënyrë që në dokumentet personale të figurojë se ka lindur në vitin 1969.

Në një prononcim për të përditshmen holandeze “De Telegraaf”, ai ka polemizuar me argumentin se “mund të ndryshoni emrin, mund të ndryshoni gjininë, por pse jo edhe datëlindjen”.

Mediat holandeze thonë se gjykata është skeptike ndaj padisë, me argumentin se nuk ka asnjë mekanizëm ligjor i cili lejon një person të ndryshojë datën e lindjes së tij.

Megjithatë, Ratelband thotë se ndjehet i diskriminuar nga shkaku i moshës së tij sepse po dëmton shanset për punësim dhe për gjetje të një partnereje përmes ueb faqeve online, siç është Tinder.

“Si një 69 vjeçar, jam i kufizuar. Nëse do të isha 49 vjeçar, atëherë mund të blej një shtëpi të re, të ngas një automjet tjetër. Mund të marr përsipër shumë punë”, tha ai, për të shtuar se ka vështirësi edhe në faqet online ku kërkon një partnere.

“Kur jam në Tinder dhe them se jam 69 vjeç, nuk marr përgjigje. Nëse do të isha 49 vjeç, me fytyrën që kam, do të jem në një pozicion më të lakmueshëm”, tha Ratelband, i cili rrëfen se mjeku i tij, t’i ketë thënë se ka trup të një 45 vjeçari.

Ai është një personazh televiziv, që mban fjalime motivuese dhe një trajnues në programin neurolinguistik.