Histori e vërtetë: “Bija ime, ti mund të bësh gjithçka që ta thotë mendja!” 

Gjatë gjithë jetës time më kanë thënë se jam e çmendur, se qëllimet e mia janë të paarritshme dhe se ëndrrat e mia janë të parealizueshme.
Gjatë gjithë kohës më kanë thënë që të rri urtë, të mos bëj zë e të mos e them atë që mendoj.

Më kujtohet vetja kur kam qenë 16 vjeç. Sapo kisha nisur studimet në një shkollë suedeze dhe në njërën nga ditët, mësuesja më ngriti të zgjidhja një ekuacion para klasës. Teksa po shkoja drejt tabelës, pas krahëve të mi dëgjova njërën nga shoqet e klasës që më tha: “Kthehu te vendi yt! Je veçse një jevgë budallaqe! Mjaft u hoqe sikur di!”

Gjithmonë kisha qenë e zonja në shkollë, por fjalët e saj më bënë të dyshoja disi te vetja. Për të parën herë në jetën time vura në pikëpyetje aftësitë e mia.
Ato fjalë më vinin në mendje para çdo provimi, por në vend që t’i lejoja të më ndikonin për keq, i përdora si stimul, si një motiv për t’ia dalë mbanë. Përgjatë viteve në vijim studiova edhe më shumë dhe arrita ta mbaroja shkollën si një ndër studentet me rezultatet më të larta.

Menjëherë më pas u transferova në Londër, ku nisa studimet për Mjekësi. Pas një viti e gjysëm mora vesh se vuaja nga një sëmundje kronike, e quajtur Endometriozë. Kisha dhimbje të vazhdueshme dhe më duhej të shkoja për vizita të herëpas’hershme në Urgjencë.

Mjeku që më ndiqte, më këshillloi që t’i ndërprisja studimet, sepse sipas tij do ta kisha të pamundur që ta mbaroja shkollën, e aq më tepër të mund të punoja si mjeke në të ardhmen. Duke qenë tepër këmbëngulëse dhe e vendosur si natyrë, pas nëntë ditësh e shtruar në spital, shkova drejt e në bibliotekë. Falë Zotit, arrita t’i merrja të gjitha provimet. Dhe jo vetëm provimet, por fitova edhe një specializim të mëtejshëm: master në mjekësinë tropikale. Që atë çast vendosa të mos lejoja më askënd që të më diktonte se çfarë mund të bëja e çfarë jo.

Të njëjtën habi u ngjall njerëzve edhe kur dëgjojnë se sa e apasionuar jam për udhëtimet. Është i njëjti mosbesim dhe mëdyshje që kam hasur edhe kur bëhej fjalë për shkollën.
Sigurisht që të udhëtosh vetëm në Kubë, nuk është aspak e sigurtë, sidomos kur je një vajzë me shami, apo jo? S’ka gjasa që një vajzë me shami si unë të udhëtojë me një çantë shpine në të gjithë Amerikën Qendrore, të hidhet nga lartësitë, të bëjë surf mbi vullkan dhe të notojë në thellësi të detit. Ja që unë i kam bërë të gjitha këto dhe s’më janë dukur aspak të vështira.

Gjithmonë kam besuar se këmbëngulja dhe përpjekjet e vazhdueshme nuk janë thjesht të rëndësishme, por janë thelbësore. Im atë më thoshte përherë: “Sanam, bija ime, ti mund të bësh gjithçka që ta thotë mendja!”

Pas shumë përpjekjesh arrita të kuptoja se sa shumë rëndësi kishte që të isha e pavarur dhe të ngreja themele të qëndrueshme për veten, në mënyrë që bota të mos më lëkundte dot.
Megjithatë, sado e fortë që mund të jem, ka momente kur ndihem e pamotivuar. Pikërisht në raste të tilla, kthej sytë nga modelet frymëzuese që kanë lënë gjurmë në jetën time, duke nisur që me Hatixhen r.a, e të tjerat me radhë. Kthej sytë edhe nga modelet e sotme, nga gratë e forta që ia kanë dalë mbanë pavarësisht pengesave. Të atyre modeleve që më kanë mësuar se të ripërtërihesh nuk do të thotë thjesht të kesh ëndrra të mëdha, të jesh këmbëngulës apo të përpiqesh fort.

Të ripërtërihesh do të thotë që të dëgjohet zëri yt dhe të qëndrosh i vendosur në atë çka beson. Të ripërtërihesh do të thotë të përballesh me vështirësitë, të thyhesh, e më pas të ngrihesh dalëngadalë duke mbledhur copëzat. Do të thotë të dish se çdo vështirësi që kalon, e ka një kuptim dhe një qëllim. Të ripërtërihesh do të thotë të kuptosh se “e pamundura” është një koncept i krijuar nga mendjet e njerëzve dyshues, dhe se për sa kohë që ke besim te vetja e mbështetje në Zot, askush dhe asgjë s’mund të ta pengojë rrugëtimin.

Sanam, Londër

©HijabIsMyPrideAlbania