Hetimet e “Amnesty International”, rreziku që vjen nga Google dhe Facebook

Pas një investigimi të gjatë, organizata ndërkombëtare Amnesty International, ka akuzuar Google dhe Facebook se përdorin modele biznesi të bazuara në survejim që kërcënojnë të drejtat e njeriut dhe vendosin në rrezik privatësinë e çdo përdoruesi.

Sipas raportit të tyre, kjo do të thotë se grumbullohen të dhënat e përdoruesve, gjurmohen aktivitetet e tyre online dhe më pas kategorizohen për qëllime reklamuese.

“Google dhe Facebook dominojnë jetët tona moderne, duke grumbulluar një fuqi të pakrahasueshme në botën digjitale me mbledhjen dhe monetizimin e të dhënave personale të miliarda personave”, tha Kumi Naidoo, sekretar i përgjithshëm Amnesty International.

Pavarësisht se organizata njeh rolin e gjigantëve të internetit për të lidhur botën dhe garantuar shërbime për miliarda persona, në të njëjtën kohë, thotë se këto përfitime paguhen me një çmim shumë të lartë, pasi të dhënat personale janë të pambrojtura dhe në duart e tyre.

I menjëhershëm ishte dhe reagimi i Facebook i cili nuk ra dakord me raportin duke thënë se platforma u lejon qasjen personave nga e gjithë bota duke mbrojtur privatësinë e tyre, dhe kjo funksionon edhe në shtete më pak të zhvilluara.

“Nuk jemi dakord me raportin. Platforma jonë u lejon qasjen personave nga e gjithë bota duke mbrojtur privatësinë e tyre. Kjo funksionon edhe në shtete më pak të zhvilluara”, thuhet në reagimin e Facebook. Ndërkohë, Google nuk ka reaguar ende për këtë raport të Amnesty International.