Helikopteri përplaset në një ndërtesë në New York, një i vdekur

Në Manhatan të New Yorkut në SHBA ka ndodhur një aksident ajror në të cilin është përfshirë një helikopter i cili si pasojë e motit të keq është përplasur në një ndërtesë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Televizioni amerikan ABC, thotë se të paktën një person ka humbur jetën në aksidentin i cili ishte shkaktuar nga moti i keq i shoqëruar me shi të rrëmbyeshëm.

Helikopteri fillimisht goditi çatinë e ndërtesës në Avenue 7, pas çka shpërtheu një zjarr i cili detyroi autoritetet të evakuojnë të gjithë banorët e ndërtesës. Përveç saj, u evakuuan edhe disa ndërtesa përreth zonës së aksidentit.

Aktualisht aksidenti po trajtohet si një fatkeqësi dhe nuk ka tregues se bëhet fjalë për një akt terrorist.

Ende nuk dihet se çfarë ndodhi saktësisht, megjithatë sipas disa informacioneve, piloti, pas një defekti qëllimisht synoi çatinë e ndërtesës për të shmangur të binte në rrugë plot njerëz dhe automjete.