Kur përmenden ritualet e haxhit është e rrugës të kuptohet se aty hyjnë:
Farzet e tij ose detyrimet e prera të tij, lëshimi ose moskryerja e të cilave nuk mund të kompensohet me asgjë, dhe haxhi në atë rast do të ishte i papranuar tek Allahu i Lartëmadhërishëm.
Pastaj janë vaxhibet-obligimet që pranojnë kompensim në rast të lëshimit të tyre.
Si dhe në fund janë ato rituale që nuk janë të detyrueshme të kryhen, por kryerja e tyre e bën më të kompletuar haxhin, e të tillat janë synetet e haxhit. E që edhe për këto të fundit do të duhet që haxhitë t’u kushtojnë kujdes të veçantë, ngase me anë të kryerjes së tyre dëshmojmë dashurinë dhe respektin tonë për Muhamedin s.a.v.s., ngase të tillat veprime i kemi marrë nga praktikimi dhe porositë e tij.
Një ritual që është mjaft me peshë e që në fakt i paraprin dhe e përcjell haxhiun gjatë kryerjes së ritualeve të haxhit është edhe veshja e petkut të Ihramit.
Andaj do të fillojmë sqarimin e normave të ihramit, të cilat janë tejet me vlerë për haxhiun.
IHRAMI
Ihram do të thotë veshje e dy petkave të bardha për haxhiun, por ai për haxhiun ka domethënien e nijetit për hyrje në rituale të haxhit. Ihrami në këtë kuptim te shumë dijetarë llogaritet si farz-obligim i prerë i haxhit, ndërsa hanefitë e konsiderojnë si kusht të vlefshmërisë së kryerjes së haxhit. Ihrami realizohet me veshjen e atyre dy petkave që janë të njohura për haxhitë, me njëren prej të cilave mbulohet avreti-pjesa nën kërthizë, dhe tjetrën e hedhim supeve ne meshkujt. Ndërsa femrat kryejnë ritualet e haxhit në veshjen e tyre të rëndomtë, ngase për to nuk ka rroba të veçanta të cilat llogariten ihram për to.
Për veshjen e ihramit e kemi vendin dhe kohën e caktuar. Sa i përket kohës së veshjes së tij, ajo është e njohur qysh nga koha e Ibrahimit dhe Ismailit a.s. Koha e tij në fakt fillon dhe mund të realizohet brenda muajve të haxhit e të cilët janë:
Muaji Sheval, Dhul kade dhe dhjetë ditët e para të muajit Dhul hixheh. Në Kur’an janë theksuar këta muaj:
الْحَجُّ أَشْهُرٌ مَعْلُومَاتٌ … (197)
“Haxhi është në muajt e caktuar” (El Bekare 197).
Ndërsa sa u përket vendeve të veshjes së tij, po ashtu ato janë të përcaktuara, dhe të tillat quhen Mikate-vendveshje të ihrameve, të cilat haxhiu nuk lejohet t’i tejkalojë pa veshjen e ihramit.
Veshja e ihramit në kohë dhe vend të caktuar bëhet më qëllimin që ai i cili udhëton për në Qabe ta ndërrojë gjendjen e tij shpirtërore dhe pamjen fizike, pra të pastrohet nga çdo e keqe dhe ta largojë çdo mendim a vepër të ligë prej vetes së tij. Vetëm i këtillë mysafiri i Allahut mund ta kryejë vizitën e vendeve të shenjta.
Rëndësi të veçantë mikateve-vendveshjeve të ihramve u dha vetë Pejgamberi s.a.v.s., i cili i caktoi ato në të gjitha anët e Mekes. Ato janë në distancë të ndryshme nga Meka e shenjtë, varësisht se nga cila rrugë vjen haxhiu.
Mikatet-vendveshjet ku haxhitë duhet t’i veshin ihramet janë:
– Dhul-Hulejfeh, përafërsisht gjendet 450 km nga Meka, është mikati i banorëve të Medinës, dhe atyre që kalojnë nëpër Medinë.
– El-Xhuhfeh, gjendet në veriperëndim të Mekes, përafërsisht 183 km nga Meka. Në këtë vend gjendet fshati Rabig që konsiderohet mikat i banorëve të Shamit, Egjiptit, Marokut, dhe vendeve të tjera rreth tyre.
– Karnul Menazil, është mikati i banorëve të Nexhdit, gjendet përafërsisht 75 km nga Meka.
– Jelemlem, është një kodrinë që shtrihet në jug të Mekes, përafërsisht 92 km nga Meka, është mikati i banorëve të Jemenit. Njerëzit tani e kalojnë këtë mikat nga fshati Sa’dije.
– Dhatu Irkin, është mikati i banorëve të Irakut, gjendet përafërsisht 94 km nga Meka.
Është obligim për secilin njeri që deshiron ta kryejë Haxhin ose Umren që të mos i tejkalojë këto vende-mikate, përveçse me Ihram, pa marrë parasysh a vjen nga toka, deti apo ajri-përmes fluturimeve. E nëse i kalon vendet e lartpërmendura pa Ihram, duhet të kthehet përseri aty dhe ta veshë Ihramin, përndryshe nëse vazhdon rrugëtimin pa e veshur ihramin, obligohet me therje të kurbanit.
Ndërsa banorët e Mekes ose rrethinës së saj të cilët jetojnë më afër sesa mikatet, i veshin ihramet e tyre nga shtëpitë e tyre.
Çfarë preferohet të veprojë haxhiu para se të veshë petkun e Ihramit
Para hyrjes në ihram është e pëlqyer:
– Prerja e thonjëve.
– Shkurtimi i mustaqeve, prerja e flokëve ose rregullimi i tyre.
– Pastrimi apo marrja abdes para se të hyjë në ihram është synet i fortë.
– Parfumosja e trupit, por jo edhe e petkut të ihramit është e pëlqyer para ihramit, si dhe
– Falja e dy rekateve namaz (jashtë kohëve në të cilat nuk preferohet namazi) është synet.
Çka i ndalohet haxhiut pas veshjes së Ihramit
Pas hyrjes në ihram haxhiut i ndalohen disa gjëra, siç janë:
– Marrëdhëniet intime dhe çdo veprim tjetër që mund të sjellë deri tek ky akt, si puthja, ledhatimi, përqafimi dhe prekja me epsh.
– Ndalohet nëpërkëmbja e dispozitave të sheriatit islam.
– Grindja me njerëz. Allahu i Lartësuar thotë:
الْحَجُّ أَشْهُرٌ مَعْلُومَاتٌ فَمَنْ فَـرَضَ فِيهِنَّ الْحَجَّ فَلَا رَفَثَ وَلَا فُسُوقَ وَلَا جِدَالَ فِي الْحَجِّ … (197)
“Haxhi është në muajt e caktuar e kush bën (ia fillon të zbatojë) haxhin në këta muaj, nuk duhet afruar gruas, nuk bën të merr nëpër këmbë dispozitat e sheriatit, as nuk duhet shkaktuar grindje” (El Bekare 197).
– Ndalohet gjuetia tokësore. Në Kur’an thuhet:
… وَحُرِّمَ عَلَيْكُمْ صَيْدُ الْبَـرِّ مَا دُمْتُمْ حُرُمًا …(96)
“Kurse gjahu tokësor u është ndaluar sa të jeni në ihram” (El Maide 96).
– Ndalohet përdorimi i parfumit në rroba ose trup.
– Mashkullit i ndalohet të vesh diçka që është e qepur si këmishë etj. (femrës i lejohet).
– Ndalohet mbulimi i kokës dhe i fytyrës me çfarëdo petku.
– Gruaja nuk duhet të veshë dorëza dhe as ta mbulojë fytyrën me nikab-perçe.
– Prerja e thonjëve.
– Qethja ose rruarja e flokëve, ose e çdo qimeje të trupit, si dhe
– Lyerja e flokëve ose trupit me yndyra që përmbajnë erë parfumi.
Pas veshjes së Ihramit haxhiut i lejohet të pastrohet, të lajë kokën dhe trupin për shkaqe higjenike, të përdorë sapunin po jo atë me aromë ose erë, si dhe i lejohet të qëndrojë nën hije, të mbulohet me ombrellë e të ngjashme.
(vijon)