Haradinaj thotë se transformimi i FSK-së në ushtri do të ndodhë, por nuk e tregon kohën

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka theksuar se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është e gatshme për tu transformuar në ushtri të Kosovës.

Këto deklarata Haradinaj i ka bërë pas mbledhjes për sigurinë.

Ai ka theksuar se transformimi do të ndodhë, por duke mos e saktësuar se a do të jetë përmes ndryshimeve kushtetuese ose bazës ligjore.

“Janë dy mënyra që do te ndodhë transformimi, kushtetutës ose avancimit në bazën ligjore. Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë na ka ndihmuar për rritjen e besimit të ndërsjellë në mes komuniteteve”, ka shtuar Haradinaj.

Ai më tutje ka thënë se marrja e votës për t’i bërë ndryshimet kushtetuese është proces politik, por sipas tij, pritjet janë që transformimi të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese.

Kryeministri i Kosovës, ndonëse nuk ka dhënë data, ka thënë se FSK me kthimin e saj në ushtri, do të kthente vendin nga absorbues i sigurisë në eksportues të saj.

“Transformimi në ushtri nuk nënkupton marrjen e kompetencave të KFOR-it. Kjo do të thotë siguri më e madhe për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka shtuar ai.