Haradinaj thotë se në Këshillin Shtetërorë të Cilësisë ka dallavere dhe mafi

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka folur edhe sot për vendimin e bordit të Këshillit Shtetërorë të Cilësisë lidhur me mosakreditimin e tri universiteteve publike.

Haradinaj ka thënë se ndaj këtij vendimi ka reaguar ngase familjet që kanë jetë mesatare dhe ato të varfra nuk do të mund të regjistrohen këtë vit.

“Për mua si kryeministër është i papranueshëm fakti që maturantët e Pejës, Prizrenit, Mitrovicës, të familjeve që janë të varfra ose mesatare mbesin pa u regjistruar këtë vit. Këtë problem që ta zgjidhim duhet të angazhohemi, por nuk e pranoj faktin që familjet e varfra ose mesatare që nuk kanë kushte që këta fëmijë t’i dërgojnë në Prishtinë sepse rritet kosto të mbesin pa u regjistruar në fakultet. Kjo ka merituar mënyrë tjetër të zgjidhjes”, ka deklaruar Haradinaj, raporton lajmi.net.

I pari i qeverisë, ka shtuar se në Këshillin Shtetërorë të Cilësisë ka dallavere dhe mafi.

“Nëse këta më thonë po ngutesh kryeministër unë iu them atyre që jam vonuar pak pa e ngritur zërin. Ndoshta ka dallavere me universitetet private e nuk kanë marr numër të duhur në këto universitete, pastaj në emër të cilësisë i mbyllin universitetet publike. E di që kanë me na kritiku sepse është institucion i pavarur por e dimë çfarë mafie ka aty. Ka vërejtje për cilësi, kritikë, por nuk mund të merren këto vendime për fëmijët e familjeve mesatare. E dini Opojen, Hasin e këto”.

Këto deklarata, Haradinaj i bëri pas takimit me një delegacion nga Britania e Madhe.