Haradinaj: Të punohet më shumë në çështjen e personave të pagjetur

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe të gjitha organizatat që merren me çështjen e të zhdukurve.

Kryeministri Haradinaj tha se qëllimi i takimit të sotëm është që të gjithë ata që janë pjesë dhe kanë përgjegjësi në çështjen e personave të pagjetur, të bëhen bashkë për të identifikuar veprimet që do të ndërmerren më tutje, për përparim në këtë temë.

Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj tha se duhet bërë një vlerësim i gjendjes së procesit dhe si të veprohet më tutje me autoritetet e Beogradit rreth zbardhjes së fatit të të pagjeturve.

Kryeministri Haradianj shtroi edhe çështjen e ndryshimit të Ligjit për persona të pagjetur, duke kërkuar nga bashkëbiseduesit që të shtrojnë idetë për të bërë një plan konkret se si duhet vepruar.

Me këtë rast, kryeministri falënderoi qeverinë britanike dhe atë zvicerane për mbështetjen e vazhdueshme dhe kontributin e madh që kanë dhënë në këtë fushë me shumë programe të rëndësishme.

Ibrahim Makolli, kryetar i Delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë për çështjen e personave të zhdukur, tha se një takim i tillë do të mundësojë jo vetëm për autoritetet vendore, por edhe ato ndërkombëtare, që në një moment të caktuar kohor të gjenden rrugët dhe modalitet, të cilat duhet të futen në funksion, në mënyrë që çështja e të zhdukurve të ketë një avancim në proces.

Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit për Persona të Zhdukur, fillimisht ka përmendur vërejtjet që i kanë familjarët në Ligjin për personat e zhdukur, për të cilin ai shpreson se do të ndryshohet shumë shpejtë. Duke e cilësuar si çështje të rëndë dhe të vështirë, Gjetaj tha se tash për tash çështja e të pagjeturve konsiderohet si kategoria më e goditur. “Kemi përgjegjësi, sepse ende mbi 1600 persona evidentohen të zhdukur”, tha Gjetaj.

Duke lavdëruar punën që është kryer deri tash, ambasadori britanik, Ruairí O’Connell tha se duhet shpejtuar procesi, sepse kjo temë është shumë e ndjeshme jo vetëm për familjarët, por edhe për tërë shoqërinë, duke numëruar tri fusha kyçe që duhet trajtuar me prioritet; e para, gabimet në identifikim dhe në këtë drejtim Qeveria britanike do të vazhdojë të mbështesë Institutin e Mjekësisë Ligjore; së dyti, inkurajohen dëshmitarët që të paraqiten dhe Qeveria të bëjë çmos për t’i mbrojtur ata; dhe e treta, është drejtësia, dhe kjo nuk është vetëm çështje për t’i gjetur familjarët, por çdo familje të ketë qasje në drejtësi.

Ambasadori i Zvicrës, Jean Hubert Lebet, falënderoi kryeministrin Haradinaj për energjinë dhënë këtij procesi, i bindur se tashmë është koha të ecet përpara dhe të arrihet progres.

Shefi i Misionit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Agim Gashi e vlerësoi si shpresëdhënëse qasjen e Qeverisë së re, që kaq shpejtë ta vendosë çështjen e personave të zhdukur në fokus dhe ta trajtojë si një nga prioritetet.

Të gjithë përfaqësuesit e shoqatave të familjarëve të personave të pagjetur theksuan nevojën e identifikimit sa më të shpejtë të familjarëve të tyre, duke shtruar kërkesat konkrete para kryeministrit dhe institucioneve të vendit.

Bajram Qerkini, anëtar i Komisionit për Persona të Zhdukur, përfaqësues i Shoqatave Familjare, kërkoi përshpejtim të procesit, duke apeluar te institucionet e Republikës së Kosovës që të angazhohen më shumë se sa deri më tani për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

“Duhet të bëhet trysni te ndërkombëtarët që të na ndihmojnë të mësojmë për të vërtetën se ku gjenden më të dashurit tanë. Dhe ndërkombëtarët të shtojnë presionin dhe trysninë ndaj Serbisë; Kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare që nga sirtarët e tyre t’i nxjerrin imazhet satelitore, të cilat do të na ndihmonin të dimë se ku gjenden, të zhdukurit e luftës tash e 18 vite; Kërkojmë nga institucionet vendore që sa më shpejtë të ndryshohet Ligji për Persona të Zhdukur, i cili edhe ashtu s’ka qenë i mirë, por për më keq edhe nuk është zbatuar plotësisht dhe kjo i ka shqetësuar familjarët edhe më shumë; Kërkesë mbetet edhe ndërtimi i një Memoriali Qendror të Republikës së Kosovës, për personat e pagjetur, ku do të ruhen edhe artefaktet të cilat po dëmtohen në morgun e Prishtinës; Dhe krejt në fund, edhe njëherë më lejoni të ju bëjë apel vendorëve dhe ndërkombëtarëve që janë të kyçur në këtë proces që të punohet dhe sqarohet e vërteta për personat e pagjetur” ka thënë Qerkini.