Haradinaj: Taksën nuk guxojmë ta heqim, jemi të detyruar t’i kthehemi vetes

Kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, pasi ka bërë homazhe te varret e Rexhep Malës e Buhi Berishës, ka komentuar edhe zhvillimet e fundit rreth Gjykatës Speciale.

I është përgjigjur interesimit të gazetarëve edhe për taksën, derisa ka thënë se po sheh fushatë që ka për synim të dëmtojë këtë vendim të Qeverisë së tij.

Ka folur edhe për Luginën, që ka thënë se Kosova nuk e bën pjesë të pazareve në dialogun me Serbinë.

“Kosova, luftëtarët e lirisë i kanë kaluar disa filtra të drejtësisë. Ka qenë në fillim OKB-ja si UNMIK, luftëtarët e lirisë i kanë kaluar filtrat e UNMIK-ut. Pastaj tribunalin e ish-Jugosllavisë në Hagë, pastaj EULEX-in, gjykatat vendore. Padrejtësisht Kosovës iu është ngarku edhe një filtër. Por, me nderin më të madh, luftëtarët e UÇK-së, do ta kalojnë edhe këtë filtër, duke nderu veten duke nderu Kosovën”, ka thënë Haradinaj, teksa ka shtuar se nuk ka informata nëse dje ka ndodh fluturimi i ndonjë aeroplani drejet Hagës.

“Jemi bashkë për me e nderu veten, me e nderu luftën… Do ta nderojmë”, ka thënë Haradinaj.

Nga ana tjetër, kryeministri ka thënë se është e habitshme se ende sot në Kosovë kthehen trupa pa jetë prej Serbisë.

“Prej Batajnicës, prej Danubit e vendeve të tjera, pa na i dhënë një certifikatë se si kanë mbërri atje, si janë vra, çka ka ndodh me ta para se të vdesin, a u janë marrë organet a çka ka ndodh… a janë keqtrajtuar”, ka thënë Haradinaj, përcjell Koha.net. “Kjo flet për një padrejtësi që po i ndodh Kosovës. Për këtë arsye ne ju kemi kthy vetës ma shumë si Kosovë, për këtë arsye ne po konsolidohemi vet, e jo me prit prej palëve tjera që me na forcu. Nëse ne forcohemi, atëherë aleatët në ndihmojnë, por nëse ne jemi të dobët, s’mundet të na ndihmojë kurrkush”, ka thënë më tej ai.

Sa i përket taksës për mallrat ndaj Serbisë, Haradinaj ka thënë se sheh se ka nisur një fushatë për ta dëmtuar vendosjen e taksës.

“Pra është një fushatë qysh me tregu se taksa nuk është bash qashtu, u bo për do qëllime tjera. Pra ja ka nis njëfarë fushate, ne dimë prej nga vjen. Çka do që hyn në Kosovë, ne kemi Doganë në krejt vendin, pos nëse e qesin në shpinë e atë s’kemi qysh me ua ndalu… po na e dimë prej nga vjen, çka vjen… nuk hyn mall as i Rusisë, as i dikujt tjetër”, ka thënë Haradinaj, suke shtuar se kjo fushatë, sipas tij e orkestruar po bëhet për ta zbeh çështjen e taksës.

“E për të na thënë hiqeni. E ne nuk guxojmë me e heq, se ju thash, ne jemi të detyruar me ju kthy vetes”, ka thënë Haradinaj.

Ndryshe, veprën e Berishës dhe Malës ka thënë se është moment kthese në rezistencën e shqiptarëve të Kosovës ndaj pushtimit serb.