Haradinaj: Qeveria po e rrezikon vendin

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, thotë se qeveria e Isa Mustafës është duke e dëmtuar vendin me temat që i ka vendosur në agjendë tash e më shumë se një vit.

Me Asociacionin e Komunave të Kosovës dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi në krye të listës së preokupimeve të qeverisë për më shumë se një vit, Haradinaj tha për KALLXO.com se tani është koha që ekzekutivi t’i heqë këto dy çështje nga agjenda për t’u fokusuar në zhvillimin ekonomik e luftën kundër korrupsionit.

Duke folur për seancën 1 shtatorit, kur Qeveria e tërhoqi nga rendi i ditës, marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, Haradinaj thotë e kjo fitore përveç që është e partive opozitare që e kanë kundërshtuar për më shumë se 1 vit radhazi, është fitore edhe e deputetëve në pushtet, ku disa prej tyre kanë bërë shumë në këtë drejtim.

Ai nuk ka pranuar të komentojë deklaratën e ish-liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në lidhje me rrezikun për luftë në vitet e ardhshme.

Kreu i AAK-së thotë se asnjëherë nuk është takuar me të parin e PDK-së, Kadri Veselin ani pse shpesh herë VV e ka akuzuar atë për takime të fshehta me krye kuvendarin. Sipas tij çdo herë kur ka pas takime, kanë qenë edhe përfaqësues të VV-së.

Duke folur për Gjykatën Speciale, Haradinaj është shprehur së është i gatshëm të udhëtoj për atje, qysh iu është përgjigjur për 2 herë ftesës së Gjykatës së Hagës.

Sipas tij, nëse zgjedhjet parlamentare nuk ndodhin këtë vjeshtë, në pranverë koalicioni AAK-Nisma do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme.

Në këtë intervistë, Haradinaj ka folur edhe për qëndrimet politike të Listës Serbe.

“Lista Serbe po i rrezikon të drejtat e serbëve të Kosovës sepse ajo nuk po merret me zbatimin e të drejtave të tyre por me pikëpamjet e Beogradit. Ata janë gabim në këtë qasje”, tha Haradinaj.