Haradinaj: Presidenti Bill Klinton, njeriu më meritor që Kosova sot është shtet i pavarur dhe sovran

“President Bill Klinton, ju na ndihmuat ta fitojmë luftën dhe bashkë e ndërtuam paqen. Mirë se erdhe në shtëpinë tënde dhe tek populli në zemrat e të cilit ju keni hyrë si njeriu më i dashur. Falë vendosmërisë, humanizmit dhe guximit tuaj, ne jetësuam të drejtën tonë për liri dhe demokraci dhe ndërtuam shtetin e Kosovës. Falë kësaj kthese historike, fëmijët tanë sot jetojnë të lirë. Të lirë për të pasur jetë, për të pasur ëndrra, për të pasur shtetin e tyre, Kosovën”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë takimit që zhvilloi me ish-presidentin e SHBA-së, Bill Klinton, i cili po qëndron në vendin tonë në shënim të 20 vjetorit të hyrjes së NATO-s në Kosovë.


Kryeministri Haradinaj, ka thënë se presidenti Bill Klinton ka merita të veçanta që Kosova sot frymon lirshëm, që Kosova sot është shtet i pavarur dhe sovran. 

“Miqësia jonë me Ju, bashkëshorten tuaj, ish-sekretaren e shtetit, Hillary Klinton dhe në përgjithësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jetë e përjetshme ”, tha kryeministri Haradinaj, duke e falënderuar përzemërsisht ish-presidentin Klinton për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë dhe po vazhdojnë t’i japin Kosovës edhe në ditët e sotme, por edhe për kontributin e tij personal për të marrë vendimin kapital në një moment të vështirë dhe dramatik për popullin e Kosovës.


“Kosova dhe populli i saj gëzojnë respektin më të madh për ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton, për rolin dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fushatën ajrore të Aleancës Veriatlantike kundër forcave serbe më 1999. Dhe për këtë, sot ish-presidenti Klinton me të drejtë konsiderohet sinonim i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, tha kryeministri Haradinaj. 

Në këtë takim, kryeministri Haradinaj, e njoftoi ish-presidentin Klinton për zhvillimet politike në Kosovë, për zhvillimin e gjithmbarshëm në ekonomi, forcimin e rendit dhe ligjit, luftën kundër korrupsionit, përmbushjen e Agjendës së Reformave Evropiane, duke theksuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Temë e bisedës në këtë takim ishte edhe dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilin kryeministri Haradinaj tha se Kosova është e interesuar për arritjen e një marrëveshje obligative ligjore ndërmjet dy shteteve, që nënkupton njohjen reciproke. 

Në takim, kryeministri Haradinaj, theksoi nevojën e mbështetjes së ish-presidentit Klinton dhe të SHBA-ve në përgjithësi, për proceset e rëndësishme për Kosovën, me theks lobimin për shtimin e numrit të njohjeve, si dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.   


Në 20 vjetorin e hyrjes së NATO-s dhe për kontributin e tij dhënë për Kosovën, kryeministri Haradinaj i ka dhuruar ish-presidentit Klinton Pullën Postare, që mban figurën e ish-presidentit Bill Klinton, të cilën e ka emetuar Posta e Kosovës.