Haradinaj përmes Facebook-ut tregon çfarë bisedoi me Hahnin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka treguar çfarë ka diskutuar me komisionerin Johannes Hahn. Komisioneri për Zgjerim, Fqinjësi të Mirë dhe Negociata për Zgjerim në Bashkimin Evropian, Johannes Hahn, qëndroi sot në Kosovë mirëpo, pas takimit që pati me kryeministrin Ramush Haradinaj, asnjëri nga ta nuk u prononcua për media, shkruan lajmi.net. Kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, ka zgjedhur rrjetin social Facebook, që të tregoj se çfarë u diskutua në takimin e mbyllur për media. Sipas Haradinajt ajo çfarë u diskutua me komisionerin Hahn kishte të bënte për rrugën e Kosovës drejt BE-së dhe përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave. Postimi i plotë i Haradinajt pa ndërhyrje: Në takim me Komisionerin e BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn, ritheksova se pozicioni i Kosovës është i palëkundur në rrugën e integrimeve drejt BE-së. Në këtë drejtim, kemi shënuar progres në agjendën europiane dhe pas përmbushjes në tërësi të kritereve për liberalizim presim një vendim të shpejtë, që të na njihet e drejta e lëvizjes së lirë.