Haradinaj: Në Vatikan jam për ta kërkuar njohjen e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Vatikan ku është takuar me Atin e Shenjtë, Papa Françeskun dhe me Sekretarin e shtetit të Selisë së Shenjtë, hirësinë e tij kardinalin Pietro Parolin.

Qeveria e Kosovës ka zhvilluar së fundmi mjaft vizita pune në Vatikan dhe pse ky i fundit ende nuk ka njohur shtetin e Kosovës.

Në një intervistë ekskluzive për “Ora News”, Haradinaj shpjegoi ecurinë e bisedimeve me Selinë e Shenjtë.

“Kjo vizitë ka për qëllim të konfirmojë përcaktimin tonë si Kosovë, për marrëdhënie të mira bilaterale me Selinë e Shenjtë, njëkohësisht edhe si kërkesë që selia e shenjtë të pranojë Kosovës, ta njohë e të vendosë marrëdhënie bilaterale.

Gjatë bisedës me kardinalin Pietro Parolin, me hirësinë e tij mund të themi që kemi mbërritur të shpjegojmë, argumente që këto marrëdhënie mund të forcohen, pra është një proces dhe unë jam optimist për të ardhmen e marrëdhënieve tona me Selinë e Shenjtë”, ka thënë Haradinaj.

Kosova është dhe një nga vendet e Ballkanit Perëndimor në vëmendjen e Bashkimit Evropian për rrugëtimin e tyre drejt familjes evropiane.
Pak ditë më parë u zhvillua në Sofje samiti i përbashkët mes vendeve të BE e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri Haradinaj është i mendimit se brenda vitit do të miratohet heqja e regjimit të vizave për qytetarët kosovarë e nis lëvizja e lirë e tyre në vendet e traktatit të Shengenit.

“Kosova e ka në perspektivë tani liberalizmin e vizave. Mendoj që do të marrim vlerësimin pozitiv për të arritjen e kritereve, pastaj do të vazhdojnë me negocimin apo argumentimin e arritjeve tona tek vendet veç e veç, qeveritë nacionale”, u shpreh ai.

Gjatë qëndrimit në Romë, kryeministri i Kosovës u takua me përfaqësuesit e komunitetit arbëresh në Itali.