Haradinaj me ofertë të re për mësmimdhënësit, ata e refuzojnë menjëherë

Qeveria ka ndryshuar edhe njëherë koeficientët për mësimdhënësit, por sërish jo për të prekur kërkesat e grevistëve. Një draft i ri, për të cilin është punuar gjatë vikendit, e të cilin e ka siguruar KTV, tregon për rritje të koeficienteve, edhe në raport me atë që Haradinaj e kishte prezantuar në konferencë të jashtëzakonshme për media, pas takimit me drejtuesit e SBASHK-ut. Në Ligjin fillestar për Paga, koeficienti për mësimdhënës në shkollë të mesme ishte 2.3, që kur përkthehet në pagë në bazë të vlerës së një koeficienti prej 239 euro, i bie që paga e këtij niveli mësimdhënësish të bëhej rreth 550 euro. Në propozimin e Haradinajt të së dielës, kjo pagë propozohej në 597 euro. U refuzua nga sindikalistët. Qeveria ka vendosur që mos ta ndryshojë këtë propozim, dhe si i tillë do të shkojë në Komisionin për Administratë, të Kuvendin e Kosovës. Pra, përfundimisht Qeveria e ngrit këtë koeficient vetëm në 2.5, që në pagë përkthehet në 597 euro. E, i menjëhershëm ka qenë reagimi i SBASHK’ut. Menaxheri financiar në SBASHK, Ymer Ymeri, ka thënë se propozimi më i fundit nga qeveria e Kosovës për pagat në arsim në projektligjin për paga është tentim për mashtrim të sindikalistëve. Versioni i propozuar, sipas tij, është i papranueshëm për SBASHK-un. “Është një tentim për mashtrim por nuk do të munden të na mashtrojnë, vetëm po humbin kohë kot. Si duket greva do të zgjasë me jave të tëra”, ka thënë ai për Kohën Ditore. “Ne mendojmë që ky është një tentim për t’i bindur grevistët se janë plotësuar kërkesat sa për të tentuar ta thyejnë grevën. Por, unë jam shumë i bindur se edhe nesër dhe në ditët në vijim greva do të mbahet 100 për qind sikurse e 11 që ishte sot”. Në Ligjin fillestar, Qeveria kishte kategorizuar të gjithë mësimdhënësit në ciklin fillor në koeficientin 2, ose përkthyer në pagë 478 euro. Në propozimin e Haradinajt kjo pagë parashihej të rritej në 525, që nënkuptonte rritje të koeficientit në 2.2. Propozimi i ri e ka shpërndarë në dy këtë kategori. Mësimdhënësit në shkollë të mesme të ultë (6-9) e ka ngritur në 2.35 ose rreth 560 euro, ndërsa për kategorinë mësimdhënës të së mesme të ultë (1-5), e ka lënë në 2.2, pra 525 euro. Te kategoria e mësimdhënësve në sistemin parashkollor, në Ligj ishte propozuar koeficienti 1.9, ose 454 euro përkthyer në pagë. Haradinaj e kishte propozuar ngritjen në 501 euro, ose 2.1 me koeficient. Në propozimin e ri, kjo është rritur në 2.15 apo rreth 515 euro. Në 1.9 ka shkuar pozita e edukatorit, nga 1.7 sa ishte me propozimin e parë. E, mësimdhënësit të hënën kanë hyrë në javën e tretë të grevës me kërkesën që koeficientët në të gjitha nivelet e arsimit të rriten për 30 për qind