Haradinaj: Kosova serioze në perspektivën e saj evropiane

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, vlerësoi lart takimin e dytë të Këshillit të Stabilizim Asociimit midis Bashkimit Evropian dhe Kosovës, të mbajtur një ditë më parë në Bruksel.

Në këtë takim, i cili u kryesua nga Haradinaj dhe nga Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri Federica Mogherini, është biseduar për perspektivën dhe rrugën evropiane të Kosovës, si dhe për përmbushjen e kritereve të dala nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, transmeton Klan Kosova.

Në një konferencë për media, Haradinaj njoftoi për takimet që ka zhvilluar në Bruksel me Federica Mogherini dhe me Komisionerin Hahn, në të cilat takime janë paraqitur të arriturat dhe qëndrimet e Kosovës për perspektivën evropiane.

“Është me rëndësi të theksoj se në të gjitha këto takime kemi shfrytëzuar mundësinë të raportojmë për punët e bëra në 22 prej prioriteteve të Agjendës së Reformave Evropiane (ARE), njëkohësisht për prioritetet e identifikuara për vitin 2018 dhe për qëndrimet tona në përputhje me temat që janë me rëndësi, siç janë zhvillimet rajonale dhe dialogu”, tha kryeministri Haradinaj.

Më tej, ai bëri të ditur se në çdo takim ka dominuar edhe çështja e liberalizimit të vizave dhe e statusit të kandidatit për Kosovën.

“Unë e kam shfrytëzuar rastin të shpreh qëndrimet tona e të cilat janë se vërtetë është krijuar një shpërputhje në rajonin tonë, ku trajtohen në mënyrë më të privilegjuar disa vende dhe ka një vonesë sidomos me Kosovën. Kur vendeve tjera iu lajmërohet edhe viti i anëtarësimit në BE ose procese të përshpejtuara drejt BE-së, Kosova është në fazën më të vonë, vetëm MSA-ja dhe po ashtu është privuar nga e drejta për qarkullim të lirë që është e drejtë e domosdoshme në Kosovë, pra qarkullimi pa viza”, u shpreh Haradinaj.

Ai theksoi rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-ve për Kosovën, duke thënë se problemet e Ballkanit nuk janë zgjedhur pa rolin serioz të Amerikës.

“Kosova është serioze në perspektivën e vet evropiane. Kosova nuk është neutrale. Ne jemi vend euroatlantik që aspirojmë anëtarësimin në NATO dhe njëkohësisht për Kosovën roli i Amerikës në çështjet e pambyllura, është rol i pazëvendësueshëm dhe në këtë pozicion tonin besoj se pajtojmë të gjithë, edhe të tjerët, sepse problemet e Ballkanit nuk janë zgjidhur pa rolin serioz të Amerikës dhe ky është qëndrimi ynë”, tha thënë kryeministri Haradinaj, në konferencë.