Haradinaj emëron edhe dy zv.ministra

Qeveria Haradinaj ka qenë vazhdimisht në cak të kritikave për shkak të numrit të madh të zëvendësministrave e këshilltarëve të tyre, por edhe për shkak të shpikjes së pozitave të ndryshme për të rehatuar sa më shumë njerëz.

E për të mos mjaftuar numri mbi 80 i zëvendësministrave të kësaj qeverie në largim, kryeministri i dorëhequr, Ramush Haradinaj, mësohet se ditë më parë ka emëruar edhe dy të tjerë.

Koha.net, nga burime brenda Qeverisë së Kosovës, ka mësuar se bëhet fjalë për Kadri Kastratin që është emëruar në postin e zv/ministrit të Mbrojtjes, si dhe Myzejene Selmanin, e cila, sipas burimit, ka zënë postin e zv/ministres së Bujqësisë.

Emërimi i tyre, sipas burimit, është bërë para se kryeministri të jepte dorëheqjen në mbledhjen e qeverisë të ditës së premte.

Atë ditë, kryeministri tashmë në dorëheqje, tha se arsye për këtë vendim ishte ftesa e Gjykatës Speciale për t’u paraqitur si i dyshuar. Ai tha se nuk dëshiron që atje të shkojë si kryeministër i vendit, por si Ramush Haradinaj.

Pas këtij vendimi, Haradinaj ka kërkuar nga Presidenti Thaçi që të shpallë datën e zgjedhjeve parakohshme, gjë të cilën e kanë kërkuar edhe pothuajse të gjitha partitë tjera politike.