Hamasi reagon ndaj Arabisë Saudite

GAZA (AA) – Lëvizja palestineze e Rezistencës Islame Hamas ka dënuar deklaratat e ministrit të Jashtëm të Arabisë Saudite Adel bin Ahmed Al-Xhubeir se Katari duhet t’i japë fund mbështetjes ndaj Hamasit në mënyrë që të përmirësojë marrëdhëniet me shtetet arabe, raporton Anadolu Agency (AA).

“I kemi pritur me pikëllim të madh deklaratat provokuese të ministrit të Jashtëm të Arabisë Saudite Adel Al-Xhubeir ndaj Hamasit dhe të njëjtat i dënojmë”, thuhet në deklaratën me shkrim të Hamasit.

Në deklaratë thuhet se deklarata e Xhubeirit konsiderohet “e çuditshme” nga Hamasi. Siç theksohet më tej, fjalët e Xhubeirit kanë tronditur popujt arab dhe të botës islame, të cilët kauzë qendrore e kanë Palestinën.

“Bota arabe dhe islame e konsiderojnë Hamasin si lëvizje legjitime e rezistencës kundër okupimit cionist, që është armik kryesor i Hamasit. Është e vërtetë e pamohueshme se deklaratat e Xhubeirit do të vlerësohen nga armiku cionist si një mundësi për të kryer më shumë shkelje dhe krime ndaj popullit tonë, territoreve tona, të shenjtave tona, Jerusalemit dhe Xhamisë Aksa”, thuhet në deklaratën e Hamasit.

Ndryshe, duke folur për përfaqësues të mediave në Paris lidhur me krizën e fundit me Katarin, shefi i diplomacisë saudite Adel Al-Xhubeir kishte theksuar se nëse Katari dëshiron përmirësimin e marrëdhënieve me vendet arabe, atëherë duhet t’i japë fund mbështetjes për Hamasin dhe Vëllazërinë Muslimane.

“Katari dëmton qeverinë palestineze dhe Egjiptin duke mbështetur Hamasin dhe Vëllazërinë Muslimane. Ne mendojmë se kjo gjë nuk është e mirë. Katari duhet t’i japë fund këtyre politikave në mënyrë që të kontribuojë në stabilitetin e Lindjes së Mesme”, ishte shprehur Al-Xhubeir.

Të hënën, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Bahreini, Egjipti dhe Jemeni njoftuan për ndërprerjen e të gjitha marrëdhënieve diplomatike me Katarin duke e akuzuar atë për “mbështetje të terrorizmit”. Bllokadës diplomatike kundër Katarit iu bashkangjitën edhe Ishujt Maldive dhe qeveria libiane e Tebrukut, e cila mbështet gjeneralin puçist Halife Hafter. Së fundmi, bllokadës i janë bashkangjitur edhe Jordania dhe Mauritania.