Hamas apelon për rezistencë kundër masës tatimore të Izraelit

Grupi i rezistencës “Hamas” i ka bërë thirrje administratës palestineze që të bashkohen të gjitha grupet palestineze dhe të punojnë kundër vendimit të Izraelit për ndërprerjen e miliona dollarëve në fonde tatimore nga palestinezët, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i grupit Hamas, Hazem Qassem, në një deklaratë me shkrim tha se vendimi “edhe një herë dëshmon piraterinë e Izraelit”.

Të dielën, kabineti i sigurisë izraelite votoi për tërheqjen e 43 milionë dollarëve nga fondet tatimore që administrata izraelite i transferon çdo muaj tek Autoriteti Palestinez.

Palestinezët thonë se fondet janë të nevojshme për të ndihmuar familjet e prekura nga dhuna dhe pushtimi izraelit.

Në shkurt të vitit të kaluar, kabineti izraelit po ashtu aprovoi tërheqjen e fondeve tatimore prej 144 milion dollarëve nga palestinezët.

Qassem po ashtu u bëri thirrje grupeve palestineze që të punojnë së bashku për t’u rezistuar politikave dhe vendimeve nga administrata izraelite.

Bllokada 13-vjeçare e Izraelit në Rripin e Gazës ka shkatërruar ekonominë e enklavës bregdetare dhe ka privuar dy milion banorët e saj nga lëvizja e lirë brenda dhe jashtë Gazës, duke parandaluar edhe hyrjen e shumë pajisjeve themelore.