Haliti: Nisma për shfuqizimin e Speciales – antikushtetuese

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti e ka quajtur të pamundur kërkesën për shfuzimin e ligjit për Gjykatën Speciale. Deputeti i PDK-së e ka sqaruar nga pikëpamja procedurale se si mund të bëhej një gjë e tillë dhe cila duhej të ishte mënyra adekuate ligjore.

Haliti ka thënë se nëse kjo do të ndodhte, atëherë do të përbënte një shkelje të rëndë të Kushtetutes, shkruan Indeksonline.

“Rreth kërkesës së disa deputetëve për procedimin e Projektligjit për shfuqizimin e Ligjit nr.05/L-053, Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar:

Nga pikëpamja procedurale, kemi të bëjmë me një dispozitë kushtetuese. Shfuqizimi i një dispozite kushtetuese është e pamundur të realizohet në formën dhe mënyrën se si ka kërkuar grupi i deputetëve të cilët e kanë nënshkruar kërkesën.

Ndryshimi ose shfuqizimi i kësaj dispozite kushtetuese (neni 162 i Kushtetutes), nga pikëpamja procedurale mund të realizohet vetëm me “Iniciativën për ndryshimin e Kushtetutës”, dhe jo në formën dhe mënyrën siç është kërkuar.

Është parim i së drejtës ndërkombëtare forma dhe mënyra se si mund të ndryshohet kushtetuta apo dispozitat e veçanta të saj.

Do të përbënte një shkelje të rëndë të Kushtetutes nëse Kryesia do të lejonte shqyrtimin e iniciativës ligjore të deputetëve nënshkrues të kësaj kërkese.

Kjo iniciativë duhet të refuzohet nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës dhe çështja nuk mund të shkojë më tej. Kjo dispozitë kushtetuese i jep të drejtë Kryesisë që ta bllokojë iniciativën e deputetëve apo edhe të Qeverisë në mynyrë fare të thjesht proceduralisht, duke mos e futur fare në shqyrtim” ka thënë Xhavit Haliti./Indeksonline/