Haga ia ndërpret dy herë mandatin Haradinajt

Pak pa mbushur dy vjet në krye të Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit. Ky vendim i tij ka ardhur pas ftesës për intervistim, që ka marrë nga Gjykata Speciale. Teksa ka arsyetuar dorëheqjen, ish-shefi i Qeverisë ka thënë se do të ishte poshtërim i Kosovës dhe i nderit të kryetarit të Qeverisë sikur në Hagë të udhëtonte si kryeministër, shkruan gazeta “Zëri”.

Ende pa i mbushur dy vjet të plota në pozitën e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje të parevokueshme gjatë ditës së djeshme. Arsyeja e këtij vendimi, siç ka njoftuar Haradinaj, ka të bëjë me ftesën që ka pranuar për intervistim nga Gjykata Speciale.

Teksa ka treguar detajet e dorëheqjes, Haradinaj gjatë së premtes ka thënë se në Hagë do të shkojë si qytetar i thjeshtë, pasi që nderi i kryeministrit dhe nderi i shtetit duhet të ruhet dhe të mos poshtërohet. Nga Specialja ish-kryeministri i Kosovës është ftuar në cilësinë e të dyshuarit. Kjo nuk është hera e parë që Ramush Haradinaj ka lëshuar pozitën e shefit të Qeverisë. Përkundrazi, njëjtë kishte vepruar edhe para 14 vjetësh.

Në dhjetor të vitit 2004 ishte zgjedhur kryeministër i Kosovës, ndërkohë pas rreth 100 ditësh, në mars të vitit 2005, kishte dhënë dorëheqje, meqë ishte ftuar nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës. Haradinaj, i cili më 9 shtator 2017 u zgjodh kryeministër i Kosovës, ndërkohë më 19 korrik 2019 lëshoi këtë pozitë, pritet të udhëtojë në Hagë javën që vjen.