Gucati: Më 4 shkurt pritët të intervistohen rreth 100 ushtarë nga Gjykata Speciale

Thirrjet për intervistim të Gjykatës Speciale pritët të vazhdojnë. Përveç shkuarjes së dy ish komandantëve të UÇK-së, atij të zonës së Drenicës dhe të Llapit, tashmë pritët që në ditët në vijim të shkojnë për intervistim rreth 100 pjesëtarë të tjerë të UÇK-së. Të paktën kështu bëri të ditur për KosovaPress, kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati. Ai ka konfirmuar se Gjykata Speciale veçse ka aranzhuar që me datën 4 shkurtë të shkojnë dhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së për intervistë në Hagë. I pyetur se nga cilat zona do të jenë të ftuarit për intervistë në Gjykatën Speciale, ai tha se të ftuarit do të jenë dhe të niveleve të ndryshme dhe nga zona të ndryshme. “Me 4 shkurtë kanë me shku dhe disa shokë tonë, për arsye se programin dhe orarin e ka ndarë Gjykata Speciale, me këtë datë do të udhëtojnë grupi i fundit, pritët të jenë rreth 100 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga disa zona të caktuara”, tha ai. Tërë këtë proces, kreu i OVL të UÇK-së e cilësoi si proces të montuar, ku ritheksoi se kjo gjykatë është e papranueshme për ta. Ndër të tjera, ai bëri të ditur se janë duke planifikuar që të protestojnë dhe janë duke u organizuar që në mënyrë sa më masive t’i kundërpërgjigjen kësaj gjykate. “Opsioni nuk hiqet për protestë, ne jemi duke diskutuar gjithmonë, ditët në vijmë do të vendosim”, shtoi Gucati.