Greva e punonjësve në transportin publik paralizon Parisin

Në Paris është paralizuar transporti publik për shkak të grevës së punonjësve të rrjetit të transportit publik RATP të cilët kanë protestuar kundër reformës së qeverisë për pensionet, transmeton Anadolu Agency (AA).

Për shkak të grevës së punonjësve të RATP të cilët kanë protestuar kundër reformës së qeverisë për pensionet, janë mbyllur 10 metro ndërsa janë regjistruar ndërprerje të konsiderueshme tek të tjerat. Ndërkohë, që nuk kanë funksionuar pothuajse plotësisht linjat e autobusëve dhe tramvajeve.

Sot në grevë kanë hyrë 90 për qind e punonjësve të RATP, ndërsa sindikatat që mbrojnë të drejtat e punonjësve kanë bërë thirrje për grevë pa afat në muajt e ardhshëm.

Punonjësit e RATP reaguan ndaj përpjekjes së qeverisë për të hequr nëpërmjet ndryshimeve ligjore për pensionet disa nga përfitimet shoqërore që do të përfitonin punonjësit me daljen në pension.

Kryeministri francez Edouard Philippe, dje në një deklaratë tha se deri në fund të vitit, në të gjithë vendin do të zhvillohen takime negociuese lidhur me ndryshimin e ligjit të pensioneve. Philippe tha se ata kanë planifikuar të votojnë vitin e ardhshëm në Parlament ndryshimet në ligjin e pensioneve.