Grenell mbledh në Berlin përfaqësuesit e Listës Serbe

Përfaqësues të Listës Serbe kanë udhëtuar për në Berlin, ku do të takohen edhe me të dërguarin e posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, Richard Grenell.

I dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, Richard Grenell, gjatë së enjtes do të takohet me përfaqësuesit e Listës Serbe në Berlin.

Siç raportojnë mediet serbe, delegacioni i Listës Serbe përbëhet nga kryetari Goran Rakiq, nënkryetari Dalibor Jevtiq dhe anëtari i Listës Serbe, Bratisllav Nikoliq, transmeton lajmi.net.

Përveç takimit me Grenell, përfaqësuesit e Listës Serbe, do të takohen së pari me disa deputetë të Bundestagut gjerman, me përfaqësues të Zyrës së Kancelares gjermane, Angela Merkel si dhe me përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Sipas Listës Serbe në të gjitha këto takime do të diskutohet për situatën aktuale politike në Kosovë si dhe pozicionin e serbëve në Kosovë.

“Temat e takimeve me zyrtarët gjermanë do të jenë rrethanat aktuale politike dhe situata pas zgjedhjeve, si dhe pozicioni i popullit serb në Kosovë”, ka deklaruar Jevtiq, transmeton më tutje lajmi.net.

Jevtiq po ashtu ka bërë të ditur se të enjten personalisht ai do të takohet me të dërguarin e posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, Richard Grenell.