Gjykatësi amerikan sfidon Trump

Një gjykatë në SHBA ka sfiduar dekretin e presidentit Trump lidhur me karvanin me emigrantë nga Guatemala, Hondurasi dhe El Salvadori. Vendimi i fundit i drejtësisë thotë se emigrantët mund të kërkojnë azil në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Donald Trump humbet një betejë në luftën e tij personale kundër karvanit të emigrantëve të nisur nga Amerika e Jugut dhe që po përpiqet të arrijë në Shtetet e Bashkuara. Një gjyqtar federal ka urdhëruar Administratën të pranojë kërkesat për azil të migrantëve pa marrë parasysh vendin ku do të paraqiten.

Më 9 Nëntor, Trump ndaloi pranimin e kërkesave për azil që nuk ishin paraqitur në një pikë hyrje zyrtare në SHBA: në fakt, vetëm ata që futen ligjërisht në Shtetet e Bashkuara mund të paraqesin kërkesa. Duke vepruar kështu, presidenti përdori mundësitë që i ishin dhënë rolit të tij nga ligjet e sigurisë kombëtare dhe theksoi se po vepronte për të mbrojtur tokën amerikane. Norma ligjore u krijua për të penguar mijëra emigrantë që gjenden në kufirin jugor të SHBA-ve dhe që Trump dërgoi ushtrinë t’i ndalonte.

“Cilido qoftë autoriteti i presidentit, ai nuk mund të rishkruajë ligjet e emigracionit duke miratuar rregulla që Kongresi i ka dënuar shprehimisht”, shkruan gjykatësi Jon S. Tigar i San Franciskos në bazë të vendimit.

Zgjedhja e tij nënkupton që, derisa të ketë një apel, emigrantët mund të kërkojnë azil në SHBA. Ndërkohë, sëfundi Trump i bëri thirrje emigrantëve nga Amerika Qendrore në kufi me Meksikën që të kthehen mbrapsht. “Ikni në shtëpi!”, shkruan kreu i Shtëpisë së Bardhë në profilin e tij në Twitter. Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk janë të përgatitura për të pritur këtë “pushtim” dhe ka paralajmëruar se nuk do ta tolerojnë atë./abcnews.al