Gjykata Supreme e konfirmon dënimin për Fadil Demakun

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-deputeti i Kosovës, Fadil Demaku, ka konfirmuar se Gjykata Supreme e ka konfirmuar vendimin e Gjykatës së Apelit për rastin ‘Drenica 2’.

Demaku në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se ky është turp që po vazhdon nga Gjykata e shkallës se parë e deri në Supreme.

Ai, i revoltuar kundër vendimit, është shprehur edhe në Facebook duke shkruar se “turpi nuk paska fund”.

“Faleminderit shteti ynë për këtë shpërblim të pamerituar. Koha do ta vërtetojë këtë”, ka thënë Demaku.

Ish-kryetarit të Drenasit, Nexhat Demakut i është konfirmuar dënimi me 3 vjet burgim, aq sa është edhe dënimi i ish-deputetit Fadil Demaku.

Dënimet janë vërtetuar edhe për Isni Thaçin, Zeqir Demakun dhe Jahir Demakun të dënuar me nga 6 vjet burgim. Dënimi me nga 3 vjet është konfirmuar edhe për Agim, Driton, Bashkim dhe Selman Demajn.