Gjykata Speciale fton edhe një ish-luftëtar të UÇK-së

Gjykata Speciale ka ftuar edhe një ish-luftëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, përmes një konference për medie, ka bërë të ditur se Muhamet Krasniqi, është i ftuari i radhës nga Gjykata Speciale në Hagë.

Haradinaj, ka bërë të ditur se ish-luftëtari i UÇK-së,  Muhamet Krasniqi është ftuar në cilësinë e të dyshuarit dhe se ftesa i ka arritur me datë 20 qershor të këtij viti.

“Muhamet Sejdi Kransiqi i lindur në  Ostrozub por me banim  prej vitesh në Prizren. Ka marrë një ftesë nga zyra e Prokurorit Special e cila shkruan që është shkruar me 20 maj, por ky ka marrë ftesë dhe është njoftuar me 20 qershor të këtij viti. Ftesa është si i dyshuar dhe i është thënë që brenda 20 ditësh deklaratën ta japë në Hagë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj i është lutur medieve dhe të tjerëve se për çdo interesim shtesë lidhur me këtë rast, ta kontaktojnë zyrën e OVL-së së UÇK-së dhe të mos i drejtohen në asnjë mënyrë Muhamet Krasniqit.

Ai tha se kjo zyrë është e vetmja që mbështet të ftuarit nga Prokurori Special në Gjykatën e Hagës.