Gjykata e Apelit ashpërson dënimin për vrasësin e Zejnepe Berishës

Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka aprovuar ankesën e prokurorisë dhe përfaqësuesit të palës së dëmtuar, në rastin e të akuzuarit Nebih Berisha. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren, i datës 12.04.2017, është ndryshuar vetëm sa i përket vendimit mbi dënim. Për veprat për të cilat është shpallur fajtor, “Vrasje e rëndë” nga neni 179 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 188 i të njëjtit kod, kjo gjykatë, personin në fjalë e ka dënuar me 17 vjet burgim.

Ankesa e mbrojtësit e të akuzuarit, Berisha, është refuzuar si e pa bazuar.

Kolegji gjyqësor i Gjykatës së Apelit, ka vërejtur se Gjykata e shkallës së parë në këtë çështje penalo- juridike, edhe pse drejtë i ka konstatuar rrethanat lehtësuese dhe rënduese, të cilat i ka gjetur tek i akuzuari, të njëjtat nuk i ka vlerësuar realisht dhe atë sidomos rrethanën lehtësuese “përgjegjësia esencialisht e zvogëluar”, të cilën e ka mbiçmuar.

Nuk janë vlerësuar po ashtu realisht, as rrethanat rënduese siç është mënyra e kryerjes së veprës penale, ku i akuzuari në prezencën edhe të të miturës e privon nga jeta, tani të ndjerën Zejnepe Berisha, dhe atë duke e goditur 20 (njëzetë) herë radhazi, në të gjitha pjesët e trupit, me këmbëngulësi dhe në mënyrë brutale, transmeton Indeksonline.

Rrethanë tjetër e cila nuk është vlerësuar si duhet është edhe motivi i kryerjes së veprës penale dhe sjellja e mëparshme e të akuzuarit ndaj familjes por edhe ndaj tani të ndjerës, pra para kryerjes së veprës penale. Nga e gjithë kjo rezulton se dënimi i shqiptuar nga Gjykata e shkallës së parë prej 12 vjet e 6 muaj është shumë i butë, prandaj edhe vendosi t’i shqiptoj një dënim më të rëndë, thuhet në komunikatën për media./