GJND vendos për çështjen e gjenocidit të Rohingya-ve

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) sot do të shpalosë verdiktin e saj për një çështje lidhur me gjenocidin ndaj Rohingya-ve të ngritur nga Gambia kundër Mianmarit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një seancë publike në Pallatin e Paqes në Hagë, kryetari i GJND-së, Abdulqawi Ahmed Yusuf do të lexojë urdhrin e gjykatës në orën 10:00 të mëngjesit sipas kohës lokale.

GJND dëgjoi argumentet e paraqitura nga Gambia dhe Mianmari në dhjetor të vitit të kaluar.

Vendi i Afrikës Perëndimore i ka kërkuar GJND-së “masa të përkohshme” për të ndaluar dhunën e mëtejshme kundër Rohingya-ve, komunitet i persekutuar pakicë muslimane në Mianmar.

Aboubacar Tambadou, prokurori i përgjithshëm dhe ministër i Drejtësisë i Gambisë, përfaqëson Rohingya-t. Këshilltarja Shtetërore e Mianmar, Aung San Suu Kyi mbrojti veprimet e ushtrisë së vendit të saj.

GJND është organi kryesor gjyqësor i OKB-së dhe është i vendosur në Hagë të Holandës.