Gjermania refuzon thirrjen e SHBA-ve për braktisjen e marrëveshjes me Iranin

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka refuzuar kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), për të braktisur marrëveshjen bërthamore me Iranin, përfshirë edhe pezullimin e projektit të diskutueshëm të gazsjellësit me Rusinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një fjalim në konferencën e Sigurisë që u mbajt në Mynih të shtunën, Merkel kritikoi politikat e Iranit ndaj Izraelit, programin e raketave balistike si dhe përfshirjen e Teheranit në Siri dhe Jemen, megjithatë mbrojti marrëveshjen bërthamore të arritur me Iranin. 

“Vallë, pezullimi i marrëveshjes së vetme të mbetur me Iranin do të ndihmojë në frenimin e ndikimit negativ?”, pyeti Merkel duke ripohuar se vendi i saj do t’i mbetet besnik marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2015. 

Komentet e kancelares gjermane u bënë pasi zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, u bëri thirrje aleatëve evropianë të braktisin marrëveshjen me Iranin dhe të bashkohen me fushatën e presionit diplomatik dhe ekonomik të Uashingtonit kundër Iranit. 

Në fjalimin e saj, Merkel hodhi poshtë edhe thirrjet e SHBA-ve për të ndaluar ndërtimin e tubacionit Nord Stream 2, i cili do të bartë gazin rus drejt Gjermanisë, përmes detit Baltik. 

Ajo tha se Nord Stream 2 nuk do ta bëjë Evropën të varur nga Rusia, pasi Evropa ka shumë terminalë energjie nga të cilët mund të marrë LNG nga SHBA-të.

Merkel paralajmëroi se braktisja e marrëveshjeve tregtare me Rusinë do t’i bënte favore vendeve tjera si Kina që të përfitonin nga kjo situatë.