Gjermania mbështet organizatën terroriste PKK

Sipas një raporti të shërbimeve të brendshme të zbulimit të Gjermanisë, (Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, BfV), të publikuar në muajin qershor, thuhet se PKK ka mbi 14 mijë anëtarë në Gjermani raporton AA.

Edhe pse në vitin 1993 është ndaluar në Gjermani, PKK, me anë të shoqatave të ndryshme, ka vazhduar të propagandojë nën petkun e aktiviteteve kulturore, si dhe mbledh ndihma financiare dhe militantë për organizatën.

Rreth 4.500 dosje të mbetura në harresë

Rreth 4.500 dosje të dërguara nga Turqia dhe të shqyrtuara nga gjyqësori gjerman, ende janë lënë në harresë nga autoritetet gjermane. Ndërsa shumicës së kërkesave për ekstradim nga Turqia, Gjermania i është përgjigjur negativisht me pretekstin e shkeljes së të drejtave të njeriut, duke marrë kështu në mbrojte militantë të një organizate terroriste.

Gjermania në vitin 2015 dënoi me 1 deri në 6 vite burg, vetëm 3 të dyshuar për terrorizëm, të cilët gjenden në postet drejtuese të PKK-së.

Nuk kryhen hetime efektive 

Edhe pse është e provuar që në vend gjenden më shumë se 14 mijë anëtarë të organizatës terroriste PKK, Gjermania nuk ka nisur ndonjë hetim efektiv deri më tani për ta. Sipas informacioneve të marra nga Ministria gjermane e Drejtësisë, mësohet se gjatë viteve 2004-2013 vetëm 4.400 persona janë hetuar.

Në këtë ministri nuk ka asnjë informacion për përfundimet e këtyre hetimeve dhe gjykimeve. Zyrtarët thonë që këto të dhëna mund të merren nga zyrtarë të qeverive rajonale. Edhe pse Gjermania është një nga vendet ku PKK është më aktive, ndaj drejtuesve të saj nuk merren masat e nevojshme.

Prokuroria Federale që nga viti 1992 deri më sot vetëm për 71 persona të cilët dyshohen për lidhje me PKK-në ka hapur proces gjyqësor.

Pjesëmarrjet tek PYD anashkalohen 

Standardi i dyfishtë i Gjermanisë në luftën kundër terrorizmit duket qartë edhe tek puna që bëhet për parandalimin e atyre që luftojnë jashtë vendit.

Ndërkohë që autoritet e këtij vendi kanë hapur më shumë se 100 procese gjyqësore për personat të cilët shkojnë pranë organizatës terroriste DEASH për të luftuar, e njëjta gjë nuk ka ndodhur për ata të cilët shkojnë për të luftuar përkrah krahut të armatosur të PKK-së në Siri, PYD.

Sipas lajmeve të mediave gjermane, të paktën 130 persona nga ky vend kanë shkuar në Siri për të luftuar përkrah PYD/YPG, por Prokuroria Federale deri më sot nuk ka hapur asnjë proces gjyqësor.

Gjermania është burimi financiar i PKK-së

Sipas parashikimeve të autoriteteve të sigurisë, rreth 65 për qind e të ardhurave të PKK-së vijnë nga Gjermania. Ndërsa BfV ka deklaruar se PKK vetëm gjatë vitit 2015 ka mbledhur në këtë vend më shumë se 13 milionë euro.

Vëzhguesit thonë se këto para mblidhen me detyrim, nga të ardhurat e drogës dhe rrugë të tjera të jashtëligjshme. Ata vënë në dukje se shuma e parave të mbledhura në Gjermani për PKK-në është shumë herë më e lartë.

Ndërkohë PKK thuhet se ka 31 përgjegjës zonash dhe 4 drejtues rajonal në Gjermani. Nga ana tjetër drejtuesit e PKK-së në Evropë të cilët banojnë në Belgjikë, udhëtojnë të qetë drejt Gjermanisë dhe kontrollojnë aktivitetet atje. Nga ana tjetër gazeta “Politika e Re e Lirë”, me qendër në afërsi të Franfkfurtit, Neu-Isenburg vazhdon aktivitetin e saj mediatik pa pasur shqetësime nga autoritetet.

Autoritet gjermane nuk kanë ndaluar as tubimet e PKK-së në këtë vend, ku janë lejuar tubime të mëdha me anëtarë të mbledhur nga gjithë vendet evropiane. Sipas një raporti të BfV, gjatë vitit 2015 në protestën në Bonn morën pjesë 17 mijë persona, ndërsa në një tjetër aktivitet gjatë muajit shtator në Düsseldorf morën pjesë rreth 21 mijë persona. Ndërkohë që policia nuk bëri asnjë gjë për ti ndaluar, në këto tubime janë lejuar të ashtuquajturat simbole që i përkasin PKK-së.

Mbështetje nga partitë e majta

Edhe pse PKK është e ndaluar në Gjermani, veçanërisht partitë opozitare të majta vazhdojnë të përkrahin atë. Një rol të rëndësishëm për këtë luajnë edhe deputetë të këtyre partive.

Ndërkohë disa nga deputetët mundohen të lançojnë PKK-në dhe PYD-në si forcën e vetme të luftës në Siri. Madje japin edhe përkrahje mediatike për përcjelljen e këtij qëndrimi në opinionin publik.

Armët në duart e PKK-së

Një tjetër temë që Turqia reagon ndaj Gjermanisë është edhe ajo e pranisë së armëve në duart e PKK-së. Qeveria gjermane në vitin 2014, në kuadër të luftës kundër terrorizmit i dërgoi qeverisë kurde të Irakut të Veriut ndihma me armë. Ato janë dërguar me faza të ndryshme në dy vite.

Ndërsa nga informacionet që vijnë nga rajoni, thuhet se një pjesë e këtyre armëve kanë humbur si dhe se kanë kaluar në duart e PKK-së dhe PYD-së.

Autoritetet gjermane kanë pranuar që të paktën 88 armë kanë humbur, ndërsa autoritetet e qeverisjes lokale të Irakut të Veriut kanë deklaruar se është dëshmuar për shitjen e paligjshme të 30 armëve të ardhura nga Gjermania.