Gjermania kërkon zgjidhje dyshtetërore për Izraelin dhe Palestinën

Kancelarja gjermane Angela Merkel riafirmoi sot mbështetjen e Gjermanisë për një zgjidhje të negociuar dyshtetërore për konfliktin izraelito-palestinez, raporton Anadolu Agency (AA).

“Një zgjidhje politike duhet të arrihet”, tha Merkel në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin palestinez Mahmoud Abbas në Berlin.

“Sipas mendimit tonë, kjo mund të jetë e mundur vetëm përmes një zgjidhjeje dyshtetërore të negociuar midis palëve në konflikt, e cila merr parasysh parametrat e dakorduar ndërkombëtarisht”, shtoi ajo.

Merkel nënvizoi se arritja e kësaj do të ishte “një proces i gjatë dhe i vështirë”, por do të siguronte që izraelitët dhe palestinezët të jetojnë së bashku në paqe dhe siguri.

Kancelarja u zotua gjithashtu se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë projektet e zhvillimit ekonomik në territoret palestineze.

Nga ana tjetër, Abbas vlerësoi Gjermaninë për theksin e saj mbi të drejtën ndërkombëtare dhe mbështetjen e saj për një marrëveshje politike bazuar në zgjidhjen dyshtetërore.

“Ne jemi të gatshëm të kthehemi në tryezën e bisedimeve”, theksoi ai.

Abbas kritikoi gjithashtu miratimin e vendbanime të reja ilegale në Bregun Perëndimor të pushtuar nga ana e Izraelit, duke theksuar se ato dëmtojnë rëndë zgjidhjen me dy shtete.

E drejta ndërkombëtare i cilëson Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor si “territore të pushtuara” dhe i konsideron të gjitha aktivitetet e ndërtimit të vendbanimeve hebreje në këto rajone si të paligjshme.