Gjermania kërkon punëtorë nga Ballkani, në mars hyn në fuqi një ligj i favorshëm

Shteti gjerman është duke u përballur me mungesa të mëdha punëtorësh të profesioneve të ndryshme. Shumë kompani të mëdha nuk janë në gjendje që të marrin porosi për të kryer shërbime e punë për shkak të mungesës së punëtorëve dhe një gjë e tillë është duke u shkaktuar humbje të mëdha.

Për këtë arsye, Qeveria Federale në Berlin është duke kërkuar një numër të madh punëtorësh, sidomos nga rajoni i Ballkanit, shkruan Al Jazeera.

Për të tërhequr sa më shumë punëtorë nga shtetet tjera, Gjermania tashmë ka hapur edhe një zyrë në Bon, ku do të koordinohet njohja e kualifikimeve profesionale, të cilat janë marrë jashtë Gjermanisë.

Përveç kësaj, qeveria gjermane gjithashtu ka filluar një program për të tërhequr profesionistë të huaj nën moton “Make it in Germany”, zbatimi i të cilit do të jetë përparësi kombëtare.

“Pa profesionistë të huaj, ne nuk do të jemi në gjendje që ta ruajmë mirëqenien tonë. Ne nuk mund të rrimë dhe thjesht të presim që këta njerëz të vijnë. Ne duhet të punojmë shumë për ta”, ka thënë ministri për punë në Qeverinë Federale, Hubertus Heil.

Se mungesa e punëtorëve është alarmante e thonë edhe nga Byroja Gjermane e Statistikave. Sipas tyre, numri i shtetasve me moshë pune deri në vitin 2035 do të zvogëlohet prej 4 deri në 6 milionë. Një gjë e tillë po shihet si një rrezik i jashtëzakonshëm.

Ndërkohë Dhoma Gjermane e Tregtisë dhe Industrisë, sipas një ankete të realizuar, ka konstatuar se 56 për qind e firmave që i janë nënshtruar anketës kanë konstatuar rënie të punës si pasojë e mungesës së punëtorëve.

Shumë kompani gjermane tashmë nuk janë në gjendje që të marrin mbi vete punë të ndryshme për të kryer meqenëse nuk kanë punëtorë.

E një shqetësim të tillë tashmë e ka kuptuar edhe Qeveria Federale, duke realizuar një projekt për të krijuar kushte me qëllim të tërheqjes së profesionistëve nga jashtë.

Për këtë gjë, shteti gjerman, pas shumë debatesh, ka hartuar edhe një ligj të ri të punës dhe emigracionit, që do të futet në fuqi nga 1 marsi e që do t’ua lehtësojë shtetasve të huaj të kualifikuar shkuarjen në Gjermani me qëllim të punësimit atje.

Të hënën në Bon është hapur edhe Zyra Qendrore për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale.

Qëllimi kryesor i ligjit të ri është t’ua lehtësojë procedurat punëtorëve të huaj në tregun gjerman të punës, pothuajse në të gjitha industritë.