Gjermania kërkon 337,900 ekspertë të fushave të ndryshme

Në Gjermani është rritur dukshëm kërkesa për punëtorë të kualifikuar në të ashtuquajturat profesionet natyrore-teknike, kurse mungesa e punëtorëve në fushën e shkencave natyrore dhe teknologjisë ka arritur shifra rekorde, ka njoftuar të hënën Instituti për ekonominë gjermane në Këln.

“Vetëm gjatë tetorit kompanive gjermane u mungonin 337,900 punëtorë në fushën e matematikës, informatikës, shkencat natyrore dhe inxhinierisë, që është një numër rekord në rritje prej 6 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë kohore gjatë vitit 2017”, thuhet në studimin e këtij instituti, transmeton Telegrafi.

Ekspertët pajtohen se një mungesë e tillë drastike e punëtorëve në këto fusha nuk do të mund të mbulohet edhe nëse fuqia punëtore vjen nga jashtë, pasi nevojiten investime dhe përpjekje shtesë në programet arsimore.

“Shanset që na i ofron digjitalizimi mund t’i shfrytëzojmë ,vetëm nëse sistemi ynë arsimor i përgatit për të ardhmen e tregut fëmijët tanë”, thuhet ndër tjera në shoqatën e punësimit në Gjermani (BDA).

Kujtojmë se vetëm gjatë këtij muaji në Gjermani janë evidentuar mungesa të mëdha të fuqisë punëtore – 1,2 milion, që konsiderohet si shifra më e madhe që ndonjëherë është regjistruar në këtë vend.