Gjermani, burg i përjetshëm për infermierin që vrau 85 pacientë

Gjykata Federale në Oldenburg të Gjermanisë ka dënuar me burgim të përjetshëm infermierin Niels Högel për vrasjen e 85 pacientëve në spitalet në Delmenhorst dhe Oldenburg, raporton Anadolu Agency (AA).

Kreu i Gjykatës Sebastian Bührmann gjatë shqiptimit të dënimit e cilësoi krimin në fjalë si “të pabesueshëm”.

“Nuk mund të besoj atë që keni bërë”, theksoi Bührmann.

Megjithatë, ai tha se ende nuk është gjetur përgjigje për të gjitha pyetjet në lidhje me krimin.

“Një pjesë e mjegullës së kësaj lënde ende nuk është larguar. Kjo gjë na pikëllon”, u shpreh ai.

Högel, 42 vjeç, në aktpadinë e prokurorisë akuzohej për vrasjen e 100 pacientëve midis viteve 2000 dhe 2005. Në mungesë të provave të mjaftueshme, gjykata e ka liruar atë nga akuzat për 15 vrasje.

Högel, i cili gjatë procesit gjyqësor ka pranuar fajin për 43 raste, ka kërkuar falje nga të afërmit e viktimave.

Siç është theksuar më herët, Högel ka tentuar të shfaqet si hero para të tjerëve duke injektuar ilaçe te pacientët me sëmundje të rënda dhe duke u përpjekur që më pas t’i shpëtojë ata, ndërkohë që shumica e pacientëve humbën jetën.

Högel edhe më herët ka marrë dënim me burg të përjetshëm gjatë një lënde tjetër gjyqësore të vitit 2015 për vrasjen e dy pacientëve.