Gjatë vitit 2017, në SHBA humbën jetën 15 mijë persona nga incidentet e armatosura

Incidentet e armatosura në SHBA gjatë vitit të kaluar kanë shënuar rritje, ku brenda 365 ditë kanë ndodhur mbi 60 mijë incidente, nga të cilat kanë humbur jetën 15 mijë persona.

Këto të dhëna janë bërë të ditur nga një organizatë jofitimprurëse, që merret me statistikat e incidenteve të armatosura, transmeton Telegrafi.

Masakra që ndodhi në tetor në Las Vegas, konsiderohet si vrasja më masive e realizuar nga vetëm një njeri. Sulmuesi Stephen Paddock kishte kryer sulmin mbi 22 mijë persona që kishin shkuar për ta ndjekur nga afër festivalin e muzikës country. Ai kishte shtënë mbi turmën nga dhoma e hotelit, ku si pasojë humbën jetën 60 persona dhe u plagosën qindra tjerë. Sipas policisë amerikane, Paddock nuk kishte kurrfarë lidhje me grupet ndërkombëtare terroriste, si dhe nuk kishte të kaluar kriminale.

“Kemi verifikuar të dhënat e tij nga data bazat e nivelit lokal, shtetëror dhe federal, dhe asgjë të keqe nuk kemi gjetur për të”, ka deklaruar Joe Lombardo, shefi i policisë së Nevadës.

Ndërkaq një muaj më vonë, një sulmues tjetër ishte futur në një kishë në Teksas dhe kishte filluar të shtie mbi civilët, duke i vrarë 26 persona dhe plagosur 20 tjerë. Policia kishte bërë të ditur se sulmuesi kishte planifikuar t’i vret të gjithë që ishin brenda kishës.

“Mendojmë se ka ardhur me një qëllim dhe mision të caktuar”, ka deklaruar Freeman Martin nga policia e Teksasit. Rosen Solis i kishte mbijetuar sulmit edhe pse një plumb ia kishte shpuar dorën, por thotë se i kujtohet në detaje sulmi që zgjati plot 7 minuta.

Ndërkaq më 1 korrik gjatë një koncertit të organizuar në Little Rock në Arkansas, nga të shtënat me armë ishin plagosur 28 persona. Një sulm tjetër i ngjashëm kishte ndodhur më 1 gusht, kur kongresisti Steve Skalis dhe tre persona tjerë që po luanin bejsboll në periferi të Washingtonit u sulmuan nga një burrë.

Kongresisti Republikan nga Louisiana, ishte në gjendje kritike pasi një plumb e goditi në ije, ndërkaq shërimi i tij ka zgjatur deri në shtator.