Gjashtë vrasje për tre muaj

Dy vrasje tronditën gjatë ditës së djeshme rajonin e Suharekës. Një polic vrau me armë zjarri një punëtor të kazinos derisa në një vend tjetër vëllai vrau vëllain për çështje pronësore.

Vrasja e parë u regjistrua në një kazino që gjendet rrugës për në fshatin Reshtan të Suharekës, ku i dyshuar është një rreshter policor në rajonin e Prizrenit.

E në bazë të raportimeve të para u tha se i dyshuari kishte tentuar të kryente një vjedhje, por që në momentin kur u zbulua nga viktima u qëllua për vdekje.

Kurse krimi brenda familjes u regjistrua në Studenqan të Suharekës, ku vëllai qëlloi me armë vëllain për çështje pronësore.

I dyshuari B.G., 72-vjeç vrau vëllain e tij 64-vjeç I.G. Sipas hetimeve të deritanishme, mësohet se motivi që dyshohet se çoi deri në vdekje 64-vjeçarit kishte të bënte më trashëgiminë familjare.

Të dhënat e policisë tregojnë se vetëm këtë vit, gjashtë persona kanë mbetur të vdekur nga armët e zjarrit.

Ndonëse shifrat janë të larta, ato tregojnë se ka rënie në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ku për tre muaj kishin vdekur nëntë persona nga armët e zjarrit.

Në janar të vitit 2018 kishin ndodhur tri vrasje, kurse në janar të këtij vitit ka ndodhur një vrasje.

Në shkurt të vitit 2018 janë raportuar tri vrasje, kurse këtë vit në shkurt kanë ndodhur dy raste të tilla.

E në mars të vitit të kaluar kishin ndodhur tri vrasje, kurse deri më 17 mars të 2019 janë paraqitur tri raste të vrasjeve.