Gerard Pique bëhet pronar i klubit të futbollit Andorra

Grupi i investimit në pronësi të mbrojtësit të Barcelonës Gerard Pique, bleu klubin e futbollit Andorra nga shteti i vogël i Andorrës, e cila garon në ligat e ulëta të Spanjës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pique përmes një kumtese të shtunën bëri të ditur se grupi investues Kosmos ka blerë klubin pasi menaxhmenti i klubit miratoi shitjen.

Klubi i futbollit Andorra u themelua në vitin 1942, ku aktualisht luan në ligën e pestë të Spanjës kundër klubeve në Katalonjë. Andorra në vitet 1980-90 garonte në ligën e tretë.

Blerja e klubit është akti më i freskët në biznesin e 31-vjeçarit Pique.

Për qendërmbrojtësin e Barcelonës dhe gruan e tij, këngëtaren e njohur të muzikës pop Shakira Pique, ky është një tjetër veprim i jashtëzakonshëm i biznesit, të cilët ndër të tjera merren edhe me video-lojëra, optikë, pije energjike dhe ushqime organike.

Një tjetër angazhim i Grupit Kosmos të 31-vjeçarit Pique që bie në sy është edhe marrja e organizimit të Kupës Davis në tenis, e cila nga sezoni i ardhshëm do të luhet në formatin e turneut ndërsa deri më tani ishte një garë e cila zgjaste me muaj dhe e cila luhej në fusha në disa vende.