Gazetarja e televizionit iranian e arrestuar nga FBI sot paraqitet në gjykatë

NEW YORK (AA) – Gazetarja e televizionit shtetëror të Iranit, Marzieh Hashemi, e arrestuar nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI) për akuza të paspecifikuara, sot do të paraqitet në një gjykatë të Washingtonit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas raportimeve në media, i biri i gazetares tha se Hashemi është arrestuar si “një dëshmitare e rëndësishme” për një çështje penale dhe se asnjë akuzë formale nuk është paraqitur kundër saj.

Dëshmitar i rëndësishëm në ligjin amerikan është një dëshmitar që ka informacione të rëndësishme në lidhje me çështjen e një padie apo ndjekje penale.

Mediat raportojnë se prezentuesja televizive, e cila lindi në SHBA dhe më vonë u konvertua në Islam, udhëtonte për të vizituar familjen e saj në St. Louis kur u arrestua dhe u dërgua në një stacion të FBI-së.

Ministria e Punëve të Jashtme e Iranit dënoi arrestimin dhe kërkoi lirimin e saj të menjëhershëm.

Komiteti i Mbrojtjes së Gazetarëve (CPJ) me seli në New York kërkoi nga Departmenti i Drejtësisë i SHBA-së të zbulojë arsyen e arrestimit të gazetares Hashemi.