Gazetari i RTK-së shpërfaq ndërhyrjet e Presidencës Thaçi në televizionin publik

Punëtori i Radio Televizionit të Kosovës, gazetari Nebih Maxhuni, ka demaskuar ndërhyrjen e politikës, saktësisht të presidencës së Hashim Thaçit në këtë institucion. Ai ka publikuar biseda private në mes tij dhe kryeredaktorit të televizionit Ridvan Berisha, si dhe me këshilltarin e presidentit Hashim Thaçi, Adil Behramaj, që dëshmojnë urdhra se çfarë duhet pyetur presidenti.

“Z. President, nga burime brenda koalicionit qeveritar, kemi mësuar se Qeveria së shpejti pritet ta procedojë në Kuvendin e Kosovës projektligjin për themelimin e Ushtrisë së Kosovës, të cilën ju e patët iniciuar më herët dhe më pas pezulluar. Çfarë do ndodh me transformimin e FSK-së në ushtri, a do të themelohet përmes ligjit dhe kur pritet të ndodh kjo?”, është pyetja që më 8 shtator e ka marrë nga Behramaj gazetari Maxhuni.

Të njëjtën pyetje, 5 ditë më vonë, Maxhuni e ka marrë nga shefi i tij, Ridvan Berisha. Me një fjali pas pyetjes.

“Mashkell bonja qet pytje presidentit”, i thotë Berisha Maxhunit. “Ok”, është përgjigja e tij.

Një tjetër bisedë më e hershme, ajo e 31 marsit të 2018-ës, shpërfaq një tjetër ndërhyrje të kryeredaktorit Berisha, që i tregon gazetarit Maxhuni se çfarë duhet pyetur presidenti.

“Z. President, lideri i VV-së ju ka akuzuar që keni qenë në dijeni për deportimin e 6 shtetasve turq. Si i komentoni këto akuza? Dhe së dyti edhe opinionistët në Shqipëri kanë akuzuar krerët e shtetit për këtë rast?”, është pyetja që sugjeron Berisha, e për të cilën Maxhuni s’ka dëshmi që ka ardhur nga presidenca.

Pasi ka publikuar këto, një tjetër këshilltar për media i Thaçit i ka shkruar gazetarit Maxhuni. Artan Behrami e ka lutur miqësisht që të mos publikojë këto biseda.

“Dost për hatër tem! Edhe nihem me ty prej 2002”, i ka shkruar Behrami.

“Ta qes edhe qeta. Sdi pse më shkuve”, ia kthen Maxhuni.

Portali Koha.net ka provuar që kontaktojë me këshilltarët e Thaçit, Adil Behramaj e Artan Behrami, por asnjëri prej tyre nuk është përgjigjur.

Interesimit të portalit nuk i është përgjigjur as gazetari Maxhuni. Kryeredaktori Ridvan Berisha, ka thënë shkurt se nuk dëshiron që të komentojë më shumë.

“Refuzoj me hap si çështje. Faleminderit, tung tung”, ka thënë shkurt ai.

Berisha, ndër të tjera mbahet mend edhe për intervistën me ish-kreun e SHIK-it tash kryetar i PDK-së, Kadri Veseli, i cili në intervistat e para publike pas kalimit nga SHIK-u në politikë ia mbylli syrin gazetarit Berisha, që u kuptua si shenjë që të ndërpresë intervistën.