Gazetarët e BBC-së kujtojnë luftën në Kosovë dhe ndërhyrjen e NATO-s (Video)

Lufta në Kosovë pa dyshim që tronditi mbarë botën, duke bërë kështu që Shtetet e Bashkuara me aleatët e saj të ndërhyjnë për të ndalur masakrat që po bëheshin ndaj popullatës civile.

Kështu BBC i ka kushtuar një artikull 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-së në Kosovë, ku për 78 ditë kreu sulmet ajrore mbi caqet e ushtrisë serbe, transmeton Telegrafi.

Jeremy Bowen, Albana Kasapi dhe Dejan Anastasijeviq, që të gjithë gazetarë që kanë përcjellë ngjarjet në Ballkan kanë kujtuar luftën në Kosovë.

Ata kujtojnë se si në vitet e 90-ta, shqiptarëve në Kosovë iu mohua çdo e drejtë themelore, duke filluar nga shkollimi e gjetja e një pune.

“Më kujtohet një fëmijë shqiptar i moshës 9-vjeçare në fshatin Prekaz, sytë e të cilit kishin mbetur të hapur duke shikuar në qiell. Ishte shumë, shumë ftohtë dhe ai ishte qëlluar me një plumb në ballë”, ka deklaruar Anastasijeviq.

“Kur forcat serbe vendosen të tërhiqen nga Kosova si rezultat i sulmeve të vazhdueshme të NATO-s, nëpër rrugë mund të shiheshin trupa të pajetë, njerëz me rrëfime të ndryshme rrëqethëse dhe gjëra që u kanë ndodhur.

Gazetarët gjithashtu kanë kujtuar ndeshjen mes Zvicrës dhe Serbisë, ku Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka e bënë shqiponjën me duar pas shënimit të golave, duke u bërë kështu kryelajm i mediave botërore.

Ndryshe, liderët e partive politike si dhe udhëheqësit më të lartë shtetëror kanë falënderuar NATO-në për ndërhyrjen në luftën e Kosovës, më 24 mars të vitit 1999.

Udhëheqësit e shtetit thanë se ky intervenim u bazua mbi vlerat e lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Sipas tyre, sot Kosova është shtet, i këtyre vlerave pa dallim dhe e vendosur në rrugën e integrimit euro-atlantik. Liderët thanë se populli i Kosovës përherë do t’i jetë mirënjohës ShBA-së dhe shteteve anëtare të NATO-s. /Telegrafi/