Gaza, 12 persona të vrarë në sulmet ajrore izraelite

Rritet në 12 numri i të vrarëve në sulmet ajrore që ushtria izraelite ka ndërmarrë që nga mëngjesi i ditës së djeshme në Rripin e Gazës nën bllokadë, transmeton Anadolu Agency (AA). 

Ministria palestineze e Shëndetësisë në një deklaratë me shkrim, ka bërë të ditur se bashkë me humbjen e jetës sot edhe të 2 personave të tjerë në rajonet qendrore dhe veriore të Gazës, është rritur në 12 numri i të vrarëve në sulmet ajrore izraelite. 

Në deklaratën e ministrisë theksohet se në sulmet ajrore janë plagosur edhe 45 persona. 

Njëri nga personat që ka humbur jetën sot në qytetin Dejr Belah në pjesën qendrore të Gazës njoftohet se është 38 vjeçari Khaled Farraj, një prej liderëve të brigadës Al Quds, krahut ushtarak të lëvizjes palestineze të rezistencës së Xhihadit Islamik. 

Ministria palestineze e Shëndetësisë nëpërmjet një deklarate të bërë dje kishte njoftuar se 10 persona kanë humbur jetën në sulmet ajrore të ndërmarra nga Izraeli në Gaza.