“Garda” e kundërligjshme e Pal Lekajt

Zyrtarë pa kontrata e me kontrata të kundërligjshme janë evidentuar në ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit që drejtohet nga Pal Lekaj. Këto punësime janë bërë me llojin e kontratave ‘Marrëveshje për Shërbime të Veçanta (MSHV)’. 135 të punësuarit janë evidentuar me këso lloje të kontratave pa procedura të thjeshtësuara të rekrutimit.

Sipas Ligjit për Shërbyes civil, institucionet mund të angazhojnë punëtorë me afat të caktuar në bazë të kontratave “Marrëveshje për shërbime të veçanta” për më pak se gjashtë muaj. Sipas ligjit, angazhimi i tyre bëhet në bazë të kontratave të quajtura (MSHV) të cilat i nënshtrohen Ligjit për marrëdhënie detyrimore dhe për të cilat zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit.

Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur se nw fund të vitit 2018, përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta (kontrata mbi vepër) ishin të angazhuar 135 nëpunës për pozita të ndryshme. Prej tyre, 68 janë të punësuar pa procedurë të thjeshtësuar të rekrutimit. Disa nga pozitat e mbuluara me nëpunës me MSHV, janë pozita të rregullta, si: Zyrtar Financiar, Zyrtar për Buxhet dhe Financa, Zyrtar Personeli, Zyrtar i IT-së. Po ashtu, MI për të njëjtit zyrtarë aplikon vazhdimin e kontratave të tilla çdo gjashtë  muaj, shkruan lajmi.net.

Përveç numrit të mësipërm, 29 të punësuar tjerë me kontratë mbi vepër, sipas Auditorit ishin të angazhuar në pozita të ekzaminerëve.

“Kontratat paraprake iu kishin skaduar më 31.10.2017, por të njëjtit kishin vazhduar të punojnë edhe gjatë vitit 2018 pa kontrata. Pagat e tyre për kohën sa kanë punuar pa kontrata, janë paguar në tremujorin e parë të vitit 2019, pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Shërbime të Veçanta në vitin 2019”, thuhet në Raportin e Auditorit për pasqyrat financiare 2018 për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit.

Lidhur me këtë, Auditori ka shfaqur rrezikun se angazhimi i nëpunësve me MSHV për pozita të rregullta, pa procedurë dhe në mungesë të transparencës, rritë rrezikun për plotësimin e pozitave me staf jo kompetent, pa përgatitjen e duhur profesionale dhe eksperiencën e mjaftueshme për të kryer detyra zyrtare.

Andaj, ministrit Pal Lekaj i është rekomanduar që të sigurojë që angazhimi i stafit me MSHV të bëhet në pajtim të plotë me kërkesat e rregulloreve, respektivisht procedurat zbatohen me transparencë e plotë, duke marrë parasysh përgatitjen profesionale dhe performancën e kandidatëve të rekrutuar. Veç kësaj, në koordinim me MF dhe MAP të rishikojnë mundësinë që pozitat e rregullta të plotësohen sipas Ligjit për shërbimin civil.

Auditori ka gjetur edhe një sërë shkeljesh tjera në këtë ministri.