Gara për titull: City vs Liverpool, më e forta e të gjitha kohërave

Beteja magjepsëse e Manchester Cityt dhe Liverpoolit për titullin e kampionit në Premier League do të jetë në kulm të dielën, kur zhvillohen ndeshjet e xhiros së fundit të edicionit.

City në ndeshjen e fundit viziton Brightonin, kurse Liverpooli e pret Wolverhamptonin. City ka përparësi, pasi ka një pikë më shumë dhe gjithçka është në duart e ekipit të Pep Guardiolas, shkruan AFP, transmeton “Koha Ditore”. Për këtë Federata angleze ka vendosur që trofeun origjinal ta dërgojë në Brighton, kurse “kopjen” në Liverpool, shkruan Koha Ditore.

City është kampion në fuqi, derisa Liverpooli nuk ka fituar titull që nga viti 1990.

Faktikisht, Liverpooli nuk ka mundur të bëjë diçka më shumë këtë edicion, pasi ka tubuar 94 pikë, duke vendosur rekord të klubit kur ka mbetur edhe një xhiro. Liverpooli mund ta fitojë ndeshjen e fundit dhe të tubojë 97 pikë dhe prapë të mbetet pa titull nëse City e mposht Brightonin.

“Të dyja ekipet e meritojnë titullin këtë edicion, por në fund vetëm njëri do ta fitojë. Ekipi që do ta humbë titullin nuk mund të ketë keqardhje për shkak se ka dhënë gjithçka nga vetja këtë edicion”, ka thënë trajneri i Cityt, Pep Guardiola.

Bazuar në statistika, kjo është gara më e madhe në Premier League e të gjitha kohërave për titullin e kampionit, por edhe në të shkuarën ka pasur raste kur titulli është vendosur në xhiron e fundit.