Gambia padit Mianmarin për gjenocid ndaj myslimanëve Rohingya

Shteti afrikan i Gambisë e ka paditur shtetin budist të Mianmarit për gjenocid kundër myslimanëve Rohingya.

Padia u ngrit në Gjykatën Ndërkombëtare për Drejtësi, e cila normalisht vendos për mosmarrëveshjet midis shteteve.

Vitin e kaluar, Kombet e Bashkuara publikua një raport për dhunën në Mianmar, ku konfirmuan pretendimet ndërkombëtare duke thënë se liderët ushtarakë të këtij vendi duhet të gjykohen për gjenocid.

Mijëra Rohingya janë vrarë dhe mbi 700,000 janë detyruar të ikin në Bangladeshin fqinj, gjatë një spastrimi etnik që moi hov në 2017-tën.

Minamari, i njohur ndryshe edhe si Birmani, e ka hedhur poshtë raportin, duke thënë se operacionet e ushtrisë kanë pasur në shënjestër kërcënimet e militantëve separatistë. Gambia, një shtet afrikan me shumicë myslimane, ka gjithashtu mbështetjen e Organizatës 57-anëtarëshe të Bashkëpunimit Islamik dhe një ekip avokatësh ndërkombëtarë.