Frikë dhe qetësi në rezidencën e FETO-s në SHBA

Frika dha qetësia mbizotëronin në rezidencën e kreut të organizatës terroriste FETO, Fetullah Gylen, në Pensilvani të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) me rastin e përvjetorit të tentativës për grusht shteti më 15 korrik të vitit të kaluar në Turqi, teksa nga ana tjetër policia ka larguar përfaqësuesit e mediave dhe protestuesit që u tubuan në rrugën ku gjendet rezidenca, raporton Anadolu Agency (AA).

AA ka xhiruar nga ajri rezidencën e kreut të FETO-s Fetullah Gylen në Pensilvani, ku ai jeton që nga viti 1999, duke shfaqur të gjitha detajet e hapësirës ku jeton ai.

Rezidenca, e cila gjendet në një hapësirë të madhe prej rreth 40 hektarësh, tërheq vëmendjen me madhësinë e saj.

Në ndërkohë, policia amerikane, e cila mundësoi një vend të kufizuar për protestuesit dhe përfaqësuesit e mediave që kishin ardhur të protestonin në orët e hershme të mëngjesit, pas një kohe të shkurtër i largoi nga rruga të gjithë që ndodheshin aty.

Policia ka larguar edhe gazetarin e AA-së i cili po ushtronte detyrën, duke thënë se drejtuesi i rezidencës së FETO-s ka kërkuar largimin e tyre me arsyetimin se personat që gjendeshin në rrugë janë duke u shkaktuar shqetësim.

Pas kësaj deklarate, policia mbylli tërësisht dy hyrjet e rrugës, duke mos lejuar askë të hyjë apo të dalë. Mbyllja e një rruge që është publike pas një ankese të një personi shkaktoi reagime.

Përderisa frika dhe qetësia në rezidencën e FETO-s me rastin e njëvjetorit të tentativës për grusht shteti u reflektua përmes masave ekstreme të sigurisë, njëri nga punonjësit e rezidencës në hyrje të saj ka xhiruar përfaqësuesit e mediave me kamerën e tij.

Punonjësit e rezidencës së Gylenit përpiqen intensivisht që me ndihmën e policisë të pengojnë protestat përreth saj dhe lajmet lidhur me to.

Ndryshe, Fetullah Gylen jeton në këtë rezidencë në Saylorsburg të Pensilvanisë që nga viti 1999.

Organizata terroriste FETO, që udhëhiqet nga ai, është përgjegjëse për tentativën për grusht shteti më 15 korrik të vitit të kaluar në Turqi, gjatë së cilës jetën humbën 250 njerëz dhe u plagosën afër 2.200 të tjerë.

Turqia ka kërkuar ekstradimin e Gylenit për t’u përballur me akuzat, por ka hasur në procedim të ngadaltë të qeverisë amerikane ndaj kërkesës së Ankarasë, pavarësisht se ekziston marrëveshje ekzistuese midis dy aleatëve të NATO-s.