Francë, vazhdon greva kundër reformës në sistemin e pensioneve

Mijëra protestues vazhdojnë të kundërshtojnë planin e qeverisë franceze për të reformuar sistemin e pensioneve. Ata marshuan të shtunën në rrugët e Parisit duke shënuar ditën e 24-t të protestave.

Përmes një gjesti të pazakontë, sindikatat organizatore të grevës u kanë kërkuar protestuesve me jelekë të verdhë që t’i bashkohen grevës. Marshimi protestë përkon me të shtunën e 59-të radhazi të lëvizjes së jelekëve të verdhë që kërkojnë drejtësi sociale dhe ekonomike.

Gjatë protestave pati edhe përleshje të vogla. Presidenti Emmanuel Macron kërkon të rrisë moshën e daljes në pension nga 62 në 64 vjeç si dhe të heqë sistemin e ndërlikuar me 42 katergori speciale, kryesisht për punonjësit e transportit hekurudhor e urban që kanë rregullat e veta për daljen në pension. Grevat kanë ndërprerë transportin në Francë.