Francë, “jelek-verdhët” në muajin e shtatë të protestave

“Jelekët e verdhë” në Francë tashmë shtatë muaj me radhë protestojnë. Protestat filluan si reagim ndaj rritjes së çmimeve të karburantit dhe kushteve të këqija ekonomike në Francë, shkruan Anadolu Agency (AA).

“Jelekët e verdhë” që prej disa muajsh vazhdojnë protestat e tyre që qeveria të zgjidhë problemin ekonomik të tyre dhe të popullit. Në vend të protestave ku në javët e para në qytete kishte pjesëmarrje të madhe, tensione mes të policisë dhe aktivistëve, plaçkitje të dyqaneve, zjarrvënie ndaj automjeteve, tashmë në përgjithësi, vërehen protesta të cilat kalojnë më qetë.

Ndërkohë është vërejtur se ka patur një rënie të konsiderueshme të numrit të pjesëmarrësve në protestat e zhvilluara javët e fundit. Sipas Ministrisë së Brendshme në protestat e mbajtura të shtunën në të gjithë vendin morën pjesë 7 mijë persona ndërsa sipas “Jelekëve të verdhë” 20 mijë persona. Në protestat që filluan më 17 nëntor 2018 morën pjesë rreth 290 mijë persona.

Rënia e pjesëmarrjes në protestat e zhvilluara në vend ka shkaktuar komente se “Jelekët e verdhë” kanë vështirësi në mobilizimin e protestuesve.

Numri i të plagosurve dhe të arrestuarve

Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Brendshme, deri më tani në protesta janë plagosur 4.245 persona nga të cilët 1.797 policë. Ndërsa 12.107 persona janë arrestuar dhe rreth 2.000 persona janë dënuar me arrest shtëpiak.

Njësia hetimore e Inspektoratit të Përgjithshëm të Policisë Kombëtare (IGPN) ka filluar 256 hetime gjyqësore me dyshimin për dhunë policore gjatë protestave.

Sipas lajmit në faqen e internetit Mediapart, gjatë protestave 5 personave u janë këputur duart për shkak të armëve mbrojtëse të përdorura nga policia, 23 persona kanë humbur syrin, 268 persona janë plagosur në kokë, 15 në dorë, 64 në trup, ndërsa 26 persona janë plagosur në shpinë dhe 106 në këmbë.

Poashtu në protesta thuhet se janë plagosur 95 gazetarë, 40 nxënës të shkollave të mesme dhe 30 vullnetarë punonjës të shëndetësisë. Policia ka kryer 145 fyerje dhe shkelje të lirisë së shtypit.

Në protestat e “Jelekëve të verdhë” ku kanë humbur jetën gjithsej 11 persona, është theksuar se një person ka vdekur për shkak të armëve mbrojtëse të përdorura nga policia.

Dëmet ekonomike

Protestat i kanë shkaktuar një dëm të madh ekonomisë së vendit, ku që nga fillimi i tyre e deri më tani thuhet se ka tejkaluar 200 milionë euro dëmi material i shkaktuar në dyqane dhe përreth për shkak të incidenteve në prostesta.

Ndikimi financiar i protestave tek më shumë se 5.000 kompani shkaktoi 73.500 njerëz të papunë, ndërsa kostoja e këtyre personave në shtet është rreth 40 milionë euro.

Ndërkohë turizmi i vendit është gjithashtu një nga sektorët e prekur nga protestat. Në tre muajt e parë të këtij viti, është shënuar një rënie prej 2.5 për qind në akomodimin e turistëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Protestat për periudhën janar, shkurt mars në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kanë shkaktuar rënie në akomodimin në hotele në të gjithë vendin me 1.3 për qind dhe në Paris, përfshirë edhe rajonin Ile-de-France, një rënie me 4.6 për qind.

Bashkë me ndikimin e turizmit protestat kanë vënë në vështirësi të madhe edhe bizneset të cilat kanë shkaktuar edhe uljen e qepenave të dyqaneve në bulevardin Champs-Elysees në Paris në të cilin janë të pranishëm edhe markat me famë. Theksohet se dëmi që kanë pësuar dyqanet, restorantet dhe qendrat tregtare ka tejkaluar 2 miliardë euro. Gjithashtu vihet në dukje se edhe sektori i ushqimit ka pësuar një dëm prej rreth 13 miliardë euro.

Protestat e “Jelekëve të verdhë”, të cilat filluan si reagim ndaj rritjes së çmimeve të karburantit, kushteve të këqija ekonomike dhe u shndërruan në protesta kundër politikave të presidentit francez Emmanuel Macron, filluan më 17 nëntor 2018.