Franca ndalon telefonat e mençur në shkolla

Fëmijët francezë tash e tutje, kur të shkojnë në shkollë, do të detyrohen t’i shkycin ose lënë në shtëpi ‘smartfonët’ e tyre.

Ky vendim u miratua të hënën në parlamentin francez dhe vlen për nxënësit e moshave nga 3 deri në 15 vjeç. Ndërsa shkollat e mesme me nxënës mbi 15 vjeç do të vendosin vetë nëse do t’i ndalojnë ose jo pajisjet e mençura brenda objekteve shkollore, shkruan CNN, përcjell Klan Kosova.

“E dimë se sot është i përhapur fenomeni i varjes nga telefonat. Qëllimi ynë kryesor është t’i mbrojmë fëmijët dhe adoleshentët. Është një nga rolet kryesore të arsimit dhe ligji e lejon këtë”, ka thënë ministri i arsimit në Francë, Jean-Michel Blanquer.

Këtë vendim e pati premtuar në fushatë edhe presidenti, Emmanuel Macron.

Varësia e nga telefonat e mençur ka ndikuar që përhapet “nomophobia” apo “No Mobile Phone phobia”, frika se nuk do të mund ta përdorni telefonin apo pajisjen tuaj të mençur.

Një anketë në Britani thotë se 66% e të anketuarve janë të prekur nga “nomophobia”, ndërsa 41% e tyre kanë thënë se e kanë edhe një apo dy telefona më shumë në mënyrë që të jenë të kyçur në internet.

Bazuar në Rregullatorin Francez të telekomit, ARCEP, më shumë se 90% e fëmijëve francezë, në mes moshave 12 dhe 17 vjeç, kanë pasur telefona më 2016, ndërsa më 2005 kanë pasur 72% e fëmijëve.