Fotografia fituese e çmimit #hanhankorrupsioni

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), degë e Transparency International për Kosovë dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, kanë mbajtur ceremoninë e ndarjes së çmimeve për garën fotografike ‘online’, #hanhankorrupsioni në kuadër të shënimit të 9 dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit.

Kjo garë që ishte e hapur për të gjithë qytetarët, duke u mundësuar që me anë të fotografive për disa ditë me radhë të paraqesin të ilustruara pasojat dhe efektet e korrupsionit në Kosovë, transmeton Koha.net.

Gara kishte për qëllim rritjen e vetëdijes qytetare për efektet e dëmshme të korrupsionit në përditshmërinë e tyre dhe të promovojë aktivizimin qytetar për të mbështetur luftën kundër korrupsionit.

Në garë ishin gjithsej 179 fotografi, prej të cilave juria e përbërë nga fotografë profesionalë dhe përfaqësues të medieve, kanë zgjedhur tre fotot më të mira, të cilat janë shpërblyer me çmimet në vijim:

vendi i parë 500€, është ndarë për Rexhep Kerën
vendi i dytë 300€, është ndarë për Adi Beqirin
vendi i tretë 100€,është ndarë për Driton Bublakun
Me këtë rast Valbona Bogujevci, Koordinatore e Programit në UNDP, ka thënë: “Është shumë me rëndësi që kjo temë të trajtohet së bashku me shoqërinë civile dhe qytetarët sepse qytetarët mbeten partneri më i rëndësishëm dhe më i fuqishëm në luftë kundër korrupsionit”.

Ndërkaq Ismet Kryeziu, Drejtor Ekzekutiv në Institutin Demokratik të Kosovës /Transparency International Kosovo, ka thënë: “Fotografitë janë faktet më të mira të cilat shpërfaqin efektin e korrupsionit dhe në anën tjetër faktojnë të vërtetën mbi nivelin e korrupsionit në Kosovë. Prandaj të gjithë ata që vlerësojnë se korrupsioni është percepsion është mirë t’i shohin këto foto”.

Ky është viti i dytë që KDI dhe UNDP organizojnë këtë garë. Ndërsa 20 fotot më të mira të garës #hanhankorrupsioni që u ekspozuan në këtë ceremoni do të përdoren si dhurata për zyra të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare.

SHPËRNDAJE