Foshnja Rohingya e lindur në spitalin fushor të Turqisë emërtohet “Recep Tayyip”

Foshnja e parë e lindur në spitalin fushor të ndërtuar për muslimanët e Arakanit nga Ministria e Shëndetësisë së Turqisë në rajonin Cox’s Bazaar të Bangladeshit, u emërtua me emrin Recep Tayyip, raporton Anadolu Agency (AA).

Vijon aktivitetet spitali fushor i ndërtuar nga Kryesia e Menaxhimit me Fatkeqësi dhe Emergjenca të Turqisë (AFAD) dhe Ministrisë së Shëndetësisë turke në rajonin Cox’s Bazaar në Bangladesh ku në mënyrë të dendur janë të vendosur muslimanët e Arakanit të cilët kanë ikur nga persekutimi i përjetuar në tokat e tyre.

Personeli mjekësor i spitalit, shumica e të cilëve janë mjekë turq, dje kryen edhe lindjen e parë nëpërmjet prerjes cezariane.

Duke shpërndarë fotografinë e foshnjës, Ambasada e Turqisë në Dakka shkroi: “Recep Tayyip është foshnja e parë Rohingya e cila me prerje cezariane lindi në spitalin tonë në Cox’s Bazaar. Sot, përshëndeti botën në krahët e personelit mjekësor turk”.

Mësohet se gjendja e foshnjës dhe nënës është e mirë dhe se nesër do të lirohen nga spitali. Muajin e kaluar në spital erdhi në jetë me lindje normale foshnja Muhammed Alperen.

Në deklaratën për AA, kryemjeku i spitalit, Cemaleddin Muhammed, tha se për shkak të vendosjes së mbrapshtë të fëmijës në bark, është dashur që nëna t’i nënshtrohet prerjes cezariane dhe në këtë mënyrë në orën 14:30 sipas kohës lokale, ka ardhur në jetë foshnja.

“Refugjatët e vendosur në rajon luten shumë për presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan. Foshnja e ardhur në jetë nëpërmjet prerjes cezariane u emërtua me emrin Recep Tayyip. Familja e tij janë shumë të lumtur”, u shpreh ai.

Muhammed më tej theksoi se që nga hapja më 10 shkurt e deri më 28 shkurt, në spital janë trajtuar mbi 10 mijë pacientë: “Në spitalin tonë, pos lindjeve, kirurgët tanë të përgjithshëm kryejnë edhe operacione për hernia, operacione për abscese të gjirit, operacione për ënjtje të qafës, ekspertët e ortopedisë kryejnë operacione të gjurit, operacione nga plagët e plumbave si dhe kyçit të dorës.”

“Spitali jonë shërben si shembull i spitalit më gjithëpërfshirës dhe më të furnizuar në kamp. Krerët e shtetit të Bangladeshit e pëlqejnë shumë spitalin tonë, shpeshherë na vizitojnë dhe marrin shënime”, u shpreh Muhammed duke theksuar që ekipi mjekësor i përbërë prej 27 personave i ardhur nga Turqia, vazhdon të punojë me mish e shpirt edhe krahas kushteve të vështira në rajon.

– Turqia, porta e shpresës për muslimanët e Arakanit

Muslimanët e Arakanit, nëpërmjet rrugëve të vështira ikin në Bangladesh për të shpëtuar jetën dhe janë të detyruar të jetojnë në kampet mundësitë fizike të të cilave janë shumë të këqija. Higjiena në kampe dhe pamjaftueshmëria e ushqimeve i prek veçanërisht gratë shtatzëna, fëmijët dhe pleqtë dhe përbëjnë kërcënim serioz për shëndetin.

Turqia u zgjatë dorën muslimanëve të Arakanit me shoqata dhe organizata të ndryshme si TIKA, Gjysmëhëna e Kuqe, AFAD, Dijaneti dhe IHH. Spitali në ambient të hapur bashkë me ndihmat e tjera humanitare të Turqisë është një portë shprese për muslimanët e Arakanit. Turqia vazhdon punimet dhe për ndërtimin e një kompleksi të dytë spitalor në rajon.

Në deklaratën e muajit të kaluar për AA, kreu i AFAD, Mehmet Güllüoğlu, tha: “ (Për muslimanët e Arakanit në Cox’ Bazaar) vazhdojnë punimet lidhur me ndërtimin e një spitali të dytë përreth të së cilit do ketë qendra shëndetësore, por në këtë fushë të dendur është vështirë të gjendet tokë. Është vështirë dërgimi i këtyre shërbimeve atje megjithatë deri më tani kemi arritur deri diku prandaj dhe do vazhdojmë. Vazhdojnë takimet e tona me qeverinë e Bangladeshit lidhur me këtë çështje.”

– Spastrim etnik ndaj muslimanëve të Arakanit

Sipas të dhënave të fundit të OKB-së, që nga 25 gushti 2017, rreth 688 mijë muslimanë të Arakanit si pasojë e dhunës në Mianmar kanë ikur në Bangladesh. Mendohet që në vitet 1970’ në Arakan kanë jetuar afro 2 milionë muslimanë ndërkaq për shkak të ikjes nga sulmet sistematike ky numër është zvogëluar në 300 mijë.

Imazhet satelitore të organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut tregojnë se më shumë se 350 fshatra muslimane janë djegur në atë zonë.